Mbrëmjen e sotme, Vllaznia ka marrë një barazim me shumë vuajtje ndaj Partizanit në “Air Albania”. Goli nga ana e shkodranëve erdhi në minutën e 12-të pas 11-metërshit të kthyer në gol nga Latifi.

Megjithatë, ajo që duhet thënë është se edhe në këtë ndeshje, ata që kanë spikatur kanë qenë tifozët e Vllaznisë. Të vendosur në tribunën pas porte në të djathtë, ata përgjatë gjithë 90 minutave kanë mbështetur fuqimisht kuqeblutë në fushën e lojës.

Kështu, edhe në këtë ndeshje, tifozët e Vllaznisë, kanë dhuruar spektakël në “Air Albania”. Kur ishin duke u luajtur minutat e para të takimit, tifozët shkodranë shpalosën një flamur gjigand me ngjyrat kuqeblu, në tribunën e “Air Albania”.

Nga sa bëhet e ditur nga burime të “Shkodra Sport”, kanë qenë rreth 500 tifozë që kanë udhëtuar nga Shkodra drejt Tiranës për të ndjekur këtë takim dhe për të mbështetur fuqimisht lojtarët shkodranë.

Duhet thënë se me organizimin e bërë së fundmi nga ana e tyre, tashmë Vllaznia ka një forcë më shumë dhe padyshim që tifozët po e luajnë rolin e tyre ashtu siç duhet.
Maringlen ZHIVANI