Shkruar nga Endri ÇINARI
Vllaznia duket se po gjen ritmin e duhur në repartin ofensiv, teksa në javët e fundit kuqeblutë kanë shfaqur një vazhdimësi të rëndësishme sa i përket golave të shënuar. Në gjashtë ndeshjet e fundit të kampionatit, shkodranët kanë gjetur rrjetën në çdo takim, pavarësisht rezultatit të regjistruar në fund.
Seria nisi me fitoren 1-0 ndaj Dinamos, për të vijuar më pas me golin e shënuar edhe në transfertën ndaj Egnatias, ku Vllaznia humbi 3-1. Kuqeblutë reaguan menjëherë në ndeshjen pasardhëse, duke mposhtur Tiranën me rezultatin 2-0 dhe duke konfirmuar se goli po kthehet në një pikë të qëndrueshme të skuadrës.
Edhe në humbjen 2-1 ndaj Vorës, Vllaznia arriti të shënonte, ndërsa e njëjta gjë ndodhi edhe në barazimin 1-1 me Skënderbeun. Seria u kompletua me fitoren e fundit 1-0 ndaj Elbasanit, ku goli i Uldedajt i dha shkodranëve tri pikë të rëndësishme.
Gjatë kësaj periudhe, disa prej lojtarëve kanë marrë edhe rolin e protagonistit përpara portës kundërshtare. Uldedaj, Murataj dhe Balaj kanë qenë ndër emrat kryesorë që kanë kontribuar me golat e tyre, duke i dhënë Vllaznisë alternativa të ndryshme në fazën sulmuese.
Në fakt, vazhdimësia e golit është një element që bie në sy në këtë kampionat. Kuqeblutë nuk kanë shënuar vetëm në dy takime deri tani, në humbjen 2-0 ndaj Laçit dhe në disfatën 0-2 ndaj Teutës. Në të gjitha ndeshjet e tjera, rrjeta kundërshtare është prekur të paktën një herë.
Kjo statistikë tregon një Vllazni që, pavarësisht problemeve dhe rezultateve jo gjithmonë pozitive, ka arritur të krijojë një vazhdimësi në fazën ofensivë. Tashmë sfida për kuqeblutë është që këtë produktivitet përpara portës t’a shndërrojnë në më shumë pikë, në mënyrë që golat e shënuar të shoqërohen edhe me rezultate pozitive në vazhdim të kampionatit.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


