Partizani zyrtarizoi ditën e sotme, trajnerin e ri, duke i besuar “timonin” e skuadrës serbit, Aleksandar Veselinoviç, i cili bëri edhe prezantimin zyrtar përpara gazetarëve. Tekniku 54-vjeçar u shfaq në krah të drejtorit Arbër Abilaliaj. Në prononcimin e tij Veselinoviç ndër të tjera deklaroi:
Çfarë ju bindi që të pranonit ofertën e Partizanit –
Veselinoviç: Partizani është një skuadër e madhe në Shqipëri. Jam shumë i lumtur, nuk jam njeri që përdor fjalë të mëdha. Jam vërtet shumë i lumtur, pasi kam gjetur një mikpritje shumë të ngrohtë nga takimi me presidentin,tek stafi dhe njerëzit e tjerë në klub. Jam entuziast pasi Partizani ka nisur një projekt. Për mua është një eksperiencë e re.
Opinioni juaj për Partizanin –
Veselinoviç: I njoh pothuajse të gjithë lojtarët që janë pjesë e skuadrës. Kemi folur së bashku me drejtuesit e klubit për punën dhe detyrat që do të kemi në vijim. Në këtë moment të gjithë lojtarët janë pjesë e Partizanit duhet ti respektojmë ata. Kam krijuar një ide për të gjithë lojtarët nëpërmjet videove , por ju e dini që çdo trajner ka ide të ndryshme, por tashmë do ti vëzhgoj edhe përgjatë seancave dhe proçesit stërvitor.
Ju shqetëson fakti që nuk keni mundur të zhvilloni fazën përgatitore me skuadrën –
Veselinoviç: Jam 54 vjeç dhe kam 24 vite trajner. Kam mjaft eksperienca , kam punuar për 12 vite në katër shtete. Çdo vend dhe çdo klub janë të ndryshëm në mentalitet, në tradita, në emra. Jam shumë i motivuar. Për mua është shumë e rëndësishme që çdo mëngjes të shihem në pasqyrë dhe të them që çdo ditë të jap më të mirën time. Mendoni sa njerëz duan të bëhen trajnerë dhe sa të tjerë dëshirojnë ta drejtojnë Partizanin. Kjo për mua është kënaqësi dhe dua ta shijoj këtë çdo ditë, sepse një jetë kam. Në këtë moment që gjendem në Shqipëri dëshiroj të falendroj shumë të gjithë njerëzit pasi këtu e ndjej ngrohtësinë e shqiptarëve, sepse të gjithë janë shumë të sjellshëm. Kjo është shumë e rëndësishme për mua.
Ka nevojë skuadra për përforcime –
Veselinoviç: Do të shohim. Pak ditë më parë skuadrës iu largua Maguette, nuk është e lehtë të afrosh lojtarë të rinj te Partizani. Përveç gjërave që duhet të analizojmë, duhet të kemi parasysh çfarë përfaqëson ky klub, traditën që ka. Na duhen lojtarë që të jenë gati, të ndjejnë peshën e fanelës, të luftojnë për këtë klub. Maguette ishte një prej lidërve të ekipit. Ata lojtarë që do të vijnë këtu duhet të ndihen lider, por koha që kemi në dispozicion është shumë e shkurtër. Njerëzit që punojnë në klub janë mjaft seriozë , ata po punojnë për çdo detaj , për ambjetimin e lojtarëve që mbase mund të afrohen.
Në cilin pozicion mendoni se mund të përmirësoni në mërkato –
Veselinoviç: Për pak ditë mbyllet merkato. Jam gjithmonë i gatshëm tiu përgjigjem pyetjes tuaj në cilin pozicion ka nevojë skuadra të përforcohet, por sot është dita ime e parë. Në këtë moment nuk jam i sigurtë nëse do të ishte korrekte të flasim për këtë temë.