Nga Endri ÇINARI
Tërbuni mori një pikë në javën e dytë të Kategorisë së Dytë. Pukajnët mes një takimi plot emocione në transfertë kundër Adriatikut në shifrat 3-3 arritën të fitonin pikën e dytë të sezonit. Një nga protagonistët e ndeshjes ishte edhe Vildan Kaçubela. Sulmuesi i cili shënoi për golin e shifrave provizore 2-2.
Në një prononcim për “Shkodra Sport” ai shprehet i gëzuar për golin e shënuar. Por më tepër që rrjeta e tij ndihmoi në marrjen e një pike me plot vlera në transfertë.
Kaçubela tha: “Ishte një ndeshje spektakolare dhe plot emocione kundër Adriatikut. Me përmbysje dhe ripërmbysje e patjetër këto ndeshje është kënaqësi ti luash. E dinim që përballë do kishim një kundërshtar të fortë, që e ka treguar veten edhe një javë më parë. Plus që luanin në shtëpinë e tyre dhe kjo mund të përbëjë ndoshta ndonjë avantazh të vogël.
Por ne ia arritëm që të merrnim një pikë plot vlera në transfertë. Pasi dihet që transfertat në Kategorinë e Dytë janë të vështira kudo. Besoj se e merituam pikën e marrë në fushën e lojës pasi ekipi sakrifikoi deri në fund.
Goli? Patjetër që jam i gëzuar pasi siç thuhet sulmuesi matet me gola. Prandaj ne duhet të jemi aty për të ndihmuar skuadrën. Por patjetër që më gëzon edhe më tepër fakti që ky gol shërbeu për të marrë një pikë. Uroj dhe shpresoj që të mos ndalem me kaq, por të vijoj me golat për të siguruar pikët e Tërbunit edhe në javët e ardhshme”./www.shkodrasport.com/