Nga Gjergj KOLA

Vitet kalojnë dhe në gazetari po mbush gati 18 vjetë që jam pjesë e saj. Gjatë këtyre viteve, më ka rastisur të njohë, të shkruaj, të qëndroj, flas e bisedoj me qindra figura sportive. Pa diskutim, më i veçanti ka qenë Agim Tafili. Kam patur fatin ta njoh përmes vëllait tim që ka qenë sportist me të, por më pas gjërat rrodhën natyrisht dhe kampioni i padiskutueshëm i sportit të biçikletës ka qenë një mik i pandarë edhe i jetës sime sidomos në vitet e fundit.

Dita e sotme mund të them me plot gojën ka qenë ndër më të vështirat e jetës sime. Lajmin e vdekjes së këtij kollosi të sportit shqiptar, e kam marrë vesh në Ulqin. Isha atje për të ndjekur një ndeshje futbolli të Vllaznisë dhe kuptohet se celularët shqiptarë përtej kufirit nuk punojnë. Por në një moment, për çudi, as unë nuk e kuptova sesi ra zilja e telefonit. Shoh në ekran një numër Anglie, e hap dhe përtej dëgjoj në veshin tim zërin e dajës tim që jeton në atë vend. Nuk më pyeti asgjë tjetër por veçse më tha: “Si i ndodhi Agimit kjo?”. Kaq mjaftoi që bota të më sillej rrotull. E kuptova që kishte ndodhur ajo që nuk e dëshiroja. Tafili i madh na kishte lënë. Menjëherë më pas, më telefonon edhe vëllai po për këtë lajm apo dhe shumë të tjerë me rradhë. Nuk e doja veten në ato minuta. Isha bashkë me gazetarin e mirënjohur sportiv Ymer Striniqi në Ulqin dhe kur i thashë çfarë kishte ndodhur, n ga sytë e tij dolën pareshtur lot. Për një moment, mu duk se dhe profesor Ymeri u mek dhe gjithçka mund të ndodhte. Për fat jo. E kuptova se Agim Tafili i dhimbsej të gjithëve dhe jo vetëm mua, mikut të tij. Në pak çaste kanë shprehur keqardhjen për të mjeku Zyhdi Çoba, Armir Grima, Kujtim Shaba, Rudi Vata, Ritvan Troshani dhe gjithë të tjerët. Orët e qëndrimit në Ulqin nuk më shtyheshin, doja të kthehesha sa më shpejt në Shkodër. Sapo dola në Muriqan, hap celularin dhe shoh një mesazh që vjen. Një numër Greqie më kishte thirrur por nuk kishte arritur të komunikonte me mua për mungesë valësh. E formova shpejt numrin dhe në anën tjetër të receptorit më del- Alsidi, djali i mikut tim. “Si na la Agimi”- i them dhe lotët nga të dy anët nuk pushuan. Pikërisht ky djalë ka qenë ëndërra e madhe e kampionit të biçikletës. E bëri futbollist, deshi ta shihte një ditë duke luajtur me Vllazninë por nuk ia arriti dhe me siguri me këtë brengë do të ketë mbyllur sytë. Vllaznia për Agim Tafilin ishte PERENDIA. “A e din mor Gjergj se sa emër të madh ka Vllaznia”-më thoshte shpeshherë. Për këtë Vllaznia në fakt ai kishte dhënë shumë. Tituj kampion si individë dhe si ekip. Bashkë me vëllain e tij Sytkinë, Brahim Sykjen etj, në vitet ’80 ishin krenaria e Shkodrës. Një qytet i tërë ishte tifozë me ta. Me qindra e mijëra vetë ndiqnin me ankthin më të madh nëpërmjet edicioneve të lajmeve në Radio Tirana etapat e Rretheve Çiklistike dhe krenoheshin kur dëgjonin për triumfet e Agimit me shokë.Pas viteve ’90, iku në Greqi, aty ku dhe mbylli sytë për herë të fundit. Ishte i privilegjuar, e respektonin dhe e donin të gjithë, por ai nuk ndjehej asnjëherë mirë. Ai kishte gjithnjë në mendje Shkodrën dhe Vllazninë. Diçka më tepër se një vit më parë erdhi në qytetin e tij me idenë për të marrë ndoshta drejtimin e ekipit të çiklizmit që po shkonte drejt shkrirjes dhe drejtuesit e klubit në vend që ta prisnin me krahëhapur, ia bënë çdo gjë të zezë duke “e trembur” dhe ai u largua sërish drejt Greqisë. Megjithatë mendjen e kishte sërish në Shkodër.Pavarësisht se Shkodra asnjëherë nuk e nderoi siç duhet. Tre vjet më parë kur u festua 90 vjetori i klubit Vllaznia, kam qenë nga ata që kam propozuar dhënien e një titulli të lartë këtij njeriu sepse pak kush mund t’i meritonte para tij. Përgjigja që mora ishte: Agimi është i ri. Ka kohë të nderohet!!! Po sot që nuk është më, a ka vlerë nderimi? Megjithatë vetë ai asnjëherë nuk ka dashur të merret me të tilla gjëra. Ka dashur të mbesë sërish ai djali i ri 17 vjeçar nga Berdica që i turpërua mori pjesë në një garë në Tiranë dhe pa shumë bujë i mundi të gjithë. Ishte i vetmi që asnjëherë nuk kishte dëshirë të dilte nëpër intervista në gazeta a televizione për t’i bërë lavde rezultateve të tij. Ishte i thjeshtë dhe i tillë vdiq. Shkodra dhe Vllaznia ishin gjithçka për të dhe gjithnjë në zemrën e tij.  Verën që shkoi, i shtoi përpjekjet e tij për t’u kthyer. Filloi të mblidhte materiale për ekipin e çiklizmit, deshi të sillte firmën e njohur japoneze të biçikletave “Shimano” në Shqipëri dhë ëndërrat e tij filluan të marrin jetë. Megjithatë gjërat nuk i shkuan ashtu siç duhet. Mori edhe djalin e tij të luante në Greqi tek Panionios sikur të donte të thoshte se kishte dëshirë ta kishte pranë vetes në ditët e fundit të jetës së tij ashtu si dhe vajzën dhe bashkëshorten. Sëmundja e rëndë na e mori shpejt KAMPIONIN. Pikërisht dje, u “zemërova” edhe njëherë tjetër me Zotin pse ai vazhdon të na i marrë njerëzit më të mirë për vete. U “zemërova” me jetën që vazhdon të tregohet e padrejtë me ne duke na i larguar njerëzit e mirë dhe duke mos na i lënë mes nesh. KAMPIONI Tafili ishte njeriu i përsosur në të gjitha drejtimet, njeriu që nuk e njihte fjalën abuzim, familjari i rregullt dhe gjithçka tjetër që mund të thuash për një njeri të mirë. Ja pse, teksa po shkruaj këto rradhë, më dridhen duart dhe lotët nuk kanë të rreshtur. Pyetja që vazhdoj të bëj është po ajo që kam bërë prej momentit kur kam marrë vesh lajmin e hidhur: “PSe na le Agim Tafili”?!

Ne foto, i pari nga e majta kampion i madh Agim Tafili me te vellane Sytkine dhe Brahi Sykjen pas nje suksesi te rradhes