Sipas “La Gazzetta dello Sport”, Milani është i gatshëm të dëgjojë ofertat për sulmuesin portugez Rafael Leao – por vetëm ato që kalojnë shifrën e 100 milionë eurove.
Edhe pse Leao ka një klauzolë lirimi prej 175 milionë eurosh, “Rossonerët” e dinë që asnjë klub nuk është i gatshëm ta paguajë këtë shumë në afatin kalimtar të verës 2025.
Raportimet e mëhershme kishin sugjeruar se Leao kishte njoftuar tashmë drejtuesit e Milanit për dëshirën e tij për t’u larguar.
Ndërkohë, Bayern Munich mbetet një nga klubet më të interesuara për të – dhe sipas burimeve të tjera, gjermanët janë duke përgatitur një ofertë që përfshin para dhe një lojtar në këmbim.
Drejtues të Bayern Munich e ndoqën Leaon në aksion gjatë finales së Ligës së Kombeve mes Portugalisë dhe Spanjës, e cila u zhvillua në “Allianz Arena” të dielën.
Milani ka emëruar Massimiliano Allegrin si trajner të ri për sezonin 2025-26. Klubi është duke kaluar një revolucion të thellë, me negociata në vazhdim për shitjen e portierit Mike Maignan te Chelsea dhe transferimin e Tijjani Reijnders te Manchester City. /Telegrafi/