Mediumi spanjoll MARCA, ka raportuar se ylli i Real Madridit, Joan Martinez, ka pësuar këputje të ligamentit gjatë seancës së sotme stërvitore. 16-vjeçari ishte një ndër pikat më pozitive të Real Madridit në turin parasezonal në SHBA këtë verë.
I riu ishte përfshirë në dinamikat e ekipit të parë nën urdhrat e Carlo Ancelottit, madje tekniku italian ishte aq i kënaqur me paraqitjet e tij, sa që ftesa për të në finalen e Superkupës së Evropës ishte pothuajse e sigurt.
Real Madridi kishte planifikuar që ta siguronte Martinezin duke i ofruar atij një kontratë afatgjatë me një rritje të pagës si dhe me një status të lojtarit i cili mund të përfshihet në strukturën e ekipit të parë.
Pritshmëritë ishin mjaft të mëdha për Martinez brenda klubit, madje drejtuesit ishin të lumtur që ‘zbuluan’ një lojtar me talent të madh pasi humbën garën për nënshkrimin me Leny Yoro.
Për pasojë, një lëndim i tillë kaq serioz, vjen në një moment mjaft të keq për sensacionin spanjoll pasi ai tani me gjasë do të mbetet gjashtë deri në shtatë muaj jashtë fushave.
Lëndimi i tretë serioz i verës
Ky lëndim është një tjetër goditje e rëndë për akademinë ‘La Fabrica’, të cilët në vetëm disa ditë pësuan tri lëndime serioze të lojtarëve të tyre premtues.
Daniel Mesonero këputi ligamentin në javën e fundit të korrikut duke u stërvitur me ekipin e parë, ndërsa pas tij Cesar Palacios pësoi lëndim të ngjashëm në miqësoren ndaj Milanit./Telegrafi/