Eridon Qardaku realizoi një gol për “kartolinë” ndaj Hajdukut të Splitit, duke fituar zemrat e tifozëve dinamovitë.
Sulmuesi shkodran u hodh në fushë në minutën e 70-të, në vend të Lorenco Vilës, teksa në minutën e 109 të shtesës së dytë, nxori nga repertori i tij një eurogol, duke kaluar në epërsi 2 me 1 skuadrën e Ilir Dajës. Në prononcimin e dhënë pas ndeshjes për mikrofonin e “Supersport”, Qardaku deklaroi:
“Jam munduar gjithmonë të jem profesionist. Futem me idenë për të ndihmuar ekipin. Këtë herë më deshi edhe fati, iu thashë çunave që kam besim që do të shënoj. Këto ndeshje janë delikate, janë me eliminim. Duhet të luash kompakt, edhe mund të pësosh siç pësuam. U munduam të ishim të qetë, prandaj erdhi.
Stafi më dha besimin e duhur, pjesa tjetër është taktika. Besoj se ky gol më ndihmon, më jep besim për vazhdimësinë. Lojtarët titullarë të momentit, janë shumë të mirë. Profesori thotë që lojtarët e stolit e shtyjnë përpara ekipin e parë dhe unë do të jap gjithmonë maksimumin”, u shpreh Qardaku.