Regi Lushkja ishte protagonisti kryesorë i Egnatias ndaj Olimpija Ljubljana. Ish-i i Laçit ia doli të shënonte 2 herë, por golat e tij nuk i mjaftuan kampionëve për t’u kualifikuar.
Kjo pasi sllovenët fituan në shtesë dhe siguruan kualifikimin për në fazën tjetër. Pas kësaj disfate ka folur Lushkja. Ky i fundit ka theksuar se ndeshja nisi shumë mirë, por nuk ia dolën të mbanin avantazhin.
Ndër të tjera ka folur edhe për zërat për një largim të mundshëm nga Egnatia. mesfushori theksoi se bisedimet janë në fazën e avancuar dhe mbetet të presim se çfarë do të ndodhë në ditët e ardhshme. Siç është mësuar, Sivasspor ka shfaqur interes për shërbimet e tij.
“E nisëm ndeshjen me vrull, u pa që ishim të karikuar, u përqendruam te detyrat e shënuam edhe gol. Por në një standarte që duhej ta kishim evituar na barazuam. Por është një ndeshje që e kishim nën kontroll shumë mirë, po përgatiteshim shumë mirë. Por ai kartoni i kuq që u mor në fund na dëmtoi disi se kemi konsumuar shumë metra dhe është për të ardhur keq.
Gjykimi? Po ta shohësh edhe ndeshjen e parë kemi marrë shumë të verdha e nuk besoj se është normale, se kundërshtari nuk mori asnjë. Edhe në këtë ndeshje. Por nuk dua të merrem me arbitrimin, por edhe me pjesën tonë.
Largimi? Të them të drejtën janë në faza të avancuara të transferimit. Nuk ka mbaruar asgjë, jam ende një lojtar i Egnatias dhe të shohim përsëri në vijim se çfarë ndodh.
Shënova dy gola por nuk vlejtën për asgjë, do ishin të rëndësishëm nëse fitonim dhe kualifikoheshim”, ka theksuar Lushkja.