Zakonisht, ata që kanë dhënë një kontribut të madh për një skuadër dhe kanë fituar gjithçka, e kanë të vështirë të largohen edhe kur shkojnë në një moshë që duhet ta lënë futbollin e luajtur.
Nga njëra anë është klubi që kërkon t’i mbajë edhe si pjesë të stafit drejtues, por edhe vetë futbollisti që kërkon të japë kontributin e tij, tanimë jo në fushë, por në tribunë apo stol. I tillë është edhe rasti i Renato Malotës te skuadra e Egnatias.
“Panorama Sport” mëson nga burime të besueshme në klub se për kapitenin e saj është gati një rol i ri në skuadër nëse do të vendosë që të varë “këpucët në gozhdë”. Burimet pohojnë se 35-vjeçarit do t’i ofrohet roli i drejtorit sportiv të klubit, pozicion që deri tani ka qenë vakant dhe është mbajtur nga drejtori i përgjithshëm, Klejdi Zenelaj.
Gjithsesi, për momentin është një hipotezë që po qarkullon në Rrogozhinë dhe mbetet për t’u parë se sa do të konkretizohet në të ardhmen. Thuhet kështu, pasi e gjitha do të varet edhe nga ambicia e vetë Malotës, nëse do të preferojë që të vazhdojë me futbollin në fushë apo do t’i japë një tjetër drejtim lidhjes së tij me futbollin.
KARRIERA – Kapiteni mbylli këtë vit sezonin e tretë me Egnatian, duke qenë një ndër shtyllat e saj në prapavijë, sidomos në dy sezonet e para ku ishte protagonist absolut. Këtë sezon, ka luajtur shumë pak, për shkak të dëmtimeve që e kanë lënë larg fushës. Edhe pse ka qenë i dëmtuar, ai ka qëndruar në pankinë me ekipin, një “sinjal” ky që po i përgatitej edhe roli i ri në klub.
Këtë sezon ai luajti në 17-të takime me 1050 minuta në këmbët e tij, ndërsa dy vitet e kaluara ka pasur ndeshje dhe minutazh të plotë. Ka fituar gjithçka të mundshme në futbollin shqiptar dhe shihet se personi adapt për këtë pozicion, edhe për shkak të lidhjes së ngushtë dhe respektit reciprok që ekziston mes palëve. Më herët, Malota ka qenë lojtar i shumë ekipeve dhe gjithnjë protagonist, ku ka milituar në radhët e Laçit, Vllaznisë, Kukësit, Partizanit dhe Dinamos.