Nga Eduard DERVISHAJ

55 vite më pare…lindi “Shkëndija”

Ata e luanin futbollin si artistë dhe hynë si një fllad në Kampionatin Kombëtar të vitit 1971-72. Një ekip i panjohur për publikun por që shumë shpejt fitoi simpatinë e futbolldashësve në të gjithë Shqipërinë. U quajt Klubi i Futbollit “Shkëndija”. Përbëhej nga studentë nga i gjithë vendi që kishin kaluar nga Shkolla e Mesme e Mjeshtërisë Sportive në Institutin e Lartë të Kulturës Fizike “Vojo Kushi”.

Shkolla e mjeshtërisë sportive u hap në janar të vitit 1968 në Tiranë. Talente nga e gjithë Shqipëria merrnin pjesë në një proces seleksionimi. Ata që e kalonin me sukses, hynin në shkollën e mesme dhe bëheshin pjesëmarrës të ekipit të të rinjve “Shkëndija”. Pas mbarimit të shkollës së mesme, ata kalonin automatikisht në shkollën e lartë. Disa nga emrat më të shquar të futbollit shqiptar në fushën e trajnimit dhe teorisë së futbollit dhanë kontributin e tyre për ngritjen e këtij ekipi.

Zyber Konçi, Shyqyri Reli, Osman Caslli, Skënder Dedja, Myslym Alla, Bahri Ishka, Miço Ndini, Saimir Dauti, Thanas Jançe, Theodhori Gjikuria, Aurrel Vërria, Ramadan Shehu, Leonidha Dashi, Adem Agovi, Petraq Ikonomi, Milto Gurma, Besnik Çela, Dashamir Gëzdari, Edmond Zalla, Bujar Kasmi, Mehmet Spahiu, Petrit Haxhia, Skënder Sinani, Astrit Maci, Luan Maliqi, Genc Misha, Kristaq Eksarko etj.

Ajo mund të konsiderohet si një nga “fabrikat” më prestigjioze të përgatitjes së futbollistëve në historinë e futbollit tonë. Në atë periudhë të masivizimit dhe të mbështetjes së futbollit nga shteti, kjo ishte një përpjekje shumë pozitive e ndërmarrë nga teknikët e futbollit për rritjen e cilësisë së tij. Dhe nuk ishin gabuar. Frutet e punës së tyre u dukën shumë shpejt. Në sezonin 1970-‘71 ata arritën objektivin madhor duke u shpallur Kampionë Kombetar të Kategorisë II-të dhe si rezultat në sezonin 1971-‘72, ekipi “Shkëndija” u bë pjesëmarrës i Kampionatit Kombëtar të Kategorisë I-rë.

Ishte një brez shumë i talentuar futbollistësh, ku lojtari më i madh nuk i kalonte 23 vjeç. Në pjesëmarrjen e tyre të parë në nivelin më të lartë të futbollit kombëtar ata dhuruan futboll cilësor e ndeshje shumë të bukura duke u klasifikuar në vendin e 7-të. Një rezultat shumë i mirë për kohën. Në këtë sezon arritën dhe një nga rezultatet më befasuese të kampionatit, duke mundur “Partizanin” me rezultatin 2-1.

“Shkëndija” mori pjesë në mënyrë të pandërprerë në 9 sezone të Kampionatit Kombëtar të Kategorisë I-rë duke pasur në përgjithësi renditje të mira në tabelën e klasifikimit. Rezultati më i mirë ishte ai i sezonit 1973-74, kur u renditën në vendin e 6-të dhe lanë pas ekipe me shumë traditë në futbollin shqiptar. “Aventura” e tyre e bukur, do të përfundonte në sezonin 1979-80, kur u renditën në vendin e 13-të duke lënë pas vetëm Apoloninë.

Duke qenë se dy ekipet e fundit zbrisnin në Kategorinë e Dytë, “Shkëndija” largohet kështu nga Kategoria e Parë, pas një periudhe të gjatë 9-vjeçare për tu rikthyer për here të fundit në sezonin 1985-86. “Shkëndija” la në kujtesën e futbolldashësve, talentin e madh të futbollistëve të saj, lojërat e tyre të bukura si dhe freskinë që i sollën kampionatit tonë më të rëndësishëm.

Pas mbarimit të shkollës, ata luajtën me shumë sukses me ekipet e Kategorisë së Parë, me Kombëtaren apo dhe me ekipin përfaqësues nën 21 vjeç. Para, në më pak se 15 vite trainerët e talentuar të përmendur më sipër përgatitën breza shumë të talentuar futbollistësh disa prej të cilëve u bënë emra të mëdhenj të futbollit shqiptar. Vasillaq Zëri, Astrit Hafizi, Leonidha Çurri, Milto Gurma, Sulejman Mema, Ferid Rragami, Petrit Gjoni, Vladimir Ajazi, Agim Arkaxhiu, Bajram Hushi, Xhorxh Puka, Ilir Luarasi, Gjergji Ballço, Fatmir Paçrami, Fisnik Kosova, Agron Sulaj, Arjan Hoxha, Agim Bulku, Dashnor Bajaziti, Edmond Miha, Edmond Gëzdari, Agustin Kola, Mustafa Fagu, Sulejman Starova, Edmond Zalla, Dashamir Gëzdari, Besnik Çela, Halit Gega, Luan Deliu, Petrit Hyseni, Ardian Arra, Pandi Sare, Kristaq Eksarko, Adriatik Faqekuqi, Luan Metani, Bashkim Koka, Polikron Sevo, Skënder Hodja, Kristaq Mile, Theodhori Arbëri, Shkëlqim Kurti, Josif Gjergji, Ismail Zinxhiria, Eduard Zhupa, Artan Sako etj., etj.

Nuk e di nëse kjo mënyrë organizimi do të ishte e pranueshme e do t’i rezistonte kohës së sotme por ishte një model suksesi që mund të na kishte shërbyer. Institucionet drejtuese dhe specialistët e futbollit duhet të kishin gjetur një formë për të projektuar të ardhmen e futbollit të të rinjve si dhe për stërvitjen e futbollistëve të rinje të talentuar. Modelet nuk mungojne. Një prej tyre është ai frances, i njohur si (INF) ‘Instituti Kombëtar i Futbollit Clairefontaine’. Një nga qendrat më të njohura të këtij lloji në botë që është marre si model nga shume federata në të gjithe botën.

INF është Akademia e federatës franceze të futbollit e ngritur në vitin 1988 dhe e specializuar në stërvitjen e futbollistëve të talentuar francezë. Akademia është një nga qendrat elitare të shpërndara në gjithë territorin frances. Aty jane stërvitur disa nga futbollistët më të talentuar duke përfshirë Nicolas Anelka, Louis Saha, William Gallas, golashënuesi më i mirë i kombëtares franceze Thierry Henry si dhe Mbappe. “Akademia -thotë Arsène Wenger nuk është një vend vetëm për stërvitjen por shërben dhe si një qendër për analizimin e tendencave të zhvillimit të futbollit të së ardhmes, pra dhe një qendër kërkimore”.

Ku jemi sot? Përse ekipi i të rinjve është i mbushur me shume futbolliste të cilët nuk jane stërvitur dhe formuar ne Shqipëri por në akademite e europës? Për të qene sa më i qarte, që në fillim dua të them se nuk jam kundër që të thërriten futbollistët më të talentuar që kanë lindur jashte vendit por gjithnjë mbasi ne të kemi bërë mire detyrat e shtëpise. Për këtë arësye, mendoj se në ekipet kombëtare të të rinjve duhet të luajne kryesisht fëmijet që stërviten në Shqipëri dhe që prindërit paguajne për formimin e tyre. Të marrim fëmije dhe të rinj nga jashte është rruga më e shkurtër për të përgatitur futbollistët e ardhshëm për Kombëtaren por duke dëmtuar futbollin e vëndit dhe ndërtimin e të ardhmes afatgjate të futbollit shqiptar. Ajo çmotivon trainerët dhe futbollistët e rinj që stërviten në Shqipëri dhe i detyron prindërit ti largojne femijet e tyre, në moshë shume të re, për tu stërvitur jashtë vendit duke dëmtuar gjithashtu edhe edukimin e tyre të përgjithshem.

Aktivizimi në ekipet kombëtare të të rinjve, i fëmijëve të lindur jashte vendit me prindër shqiptare, jo gjithmone mund të justifikohet me faktin që jane të talentuar dhe mund ti marrin federatat e vendeve të tyre. Kur të rriten, ata që kanë cilësinë dhe dëshirën për të luajtur për Kombëtaren e kane derën të hapur por një Kombëtare e mbushur me futbolliste që nuk kane lindur dhe nuk jane formuar në Shqipëri nuk tregon nivelin real të futbollit tone. Është një Kombëtare virtuale. Dua të theksoj se detyra kryesore e një federate kombëtare nuk është kualifikimi i Kombëtares në finalet e një Kampionati Europian apo Botëror por, në rradhe të pare, zhvillimi i futbollit kombëtar dhe Kombëtarja duhet të jetë rezultati i kësaj pune.

p.s. Ndjese për emrat e trainerëve dhe futbollistëve që mund të kem harruar