Më 18 korrik në Durrës do të zhvillohet kampionati kombëtar i të rinjve dhe paratërinjve në peshëngritje.

Lajmi nuk është zyrtar megjithatë ky është njoftimi që klubet në mënyrë anësore kanë marrë. Diçka absurde kjo është konsideruar nga trajneri i Vllaznisë Muhamet Tuzi. Sipas tij, kjo nuk është diçka normale dhe tregon më së miri për mënyrën e mosfunksionimit ashtu si duhet të gjërave në këtë Federatë. Këtë ai e ka bërë të ditur në një prononcim ekskluziv për shkodrasport.com kur ka thënë: “Në Federatën tonë gjërat nuk po funksionojnë ashtu si duhet pas problemeve të dopingut. Them kështu sepse nuk mund ta shpjegoj ndryshe faktin që kampionati kombëtar për U-20 dhe U-17 do të zhvillohet më datë 18 korrik dhe deri më sot, ne si klub nuk kemi asnjë njoftim zyrtar.Informacionin se do të zhvillohet ky kampionat e kemi marrë vetëm në rrugë dytësore dhe pikërisht përmes rrjeteve sociale. Nuk më duket aspak normale një gjë e tillë sepse jemi institucione dhe duhet komunikim zyrtar. Madje, problemet janë edhe më të thella se jo vetëm që nuk jemi njoftuar zyrtarisht për këtë aktivitet por në klubin Vllaznia nuk ka ardhur as kalendari vjetor i veprimtarive kombëtare ndonëse jemi në korrik dhe kjo duhet të kishte ndodhur që në janar apo shkurt. Sa për kampionatin e 20 vjeçarëve, të paktën edhe nga kontaktet që kam me kolegët e mi, nuk përjashtohet mundësia që të ketë bojkotim masiv të tij. Kjo sepse asnjëherë në historinë shumëvjeçare të këtij sporti, nuk është zhvilluar kampionat në mesin e muajit korrik, atëherë kur temperaturat janë të larta dhe sportistët më shumë janë në periudhë pushimi. Sa i takon ekipit të Vllaznisë, ne mund të kishim konkurruar me 4-5 sportistë në këtë kampionat por me shumë të ngjarë do shkojmë vetëm me peshëngritësin Emanuel Lushi sepse të tjerët kanë planifikuar tjetër gjë për këtë periudhë dhe nuk janë të gatshëm për kampionat”. Gjërat janë mëse të qarta, në Federatën e peshëngritjes ka probleme. Këtë e thotë të gjithë dhe ndërkohë trajneri shkodran Tuzi përmend edhe disa padrejtësi të tjera që sipas tij bëhen nga drejtuesit e saj. “Problemi nuk është vetëm kalendari dhe njoftimi i klubeve për veprimtaritë kombëtare. Unë e thashë edhe më lart se në kampionatin e të rinjve mund të marrë pjesë vetëm Emanuel Lushi nga ekipi i Vllaznisë dhe kjo ngaqë ky sportist nuk e ndërpret asnjëherë stërvitjen ngaqë pretendon të marrë pjesë edhe në disa aktivitete ndërkombëtare. Por pyetja që unë bëj është: A merr ky shtangist ndonjë rrogë, sado e vogël qoftë ajo, nga Federata? Përgjigjen po ua jap unë: Zero lekë. Ndonëse Lushi është medalist në Europë me moshat, ndonëse ka marrë pjesë në Kampionatin Botëror të të rriturve, ndonëse mori medalje ari në turneun e San Marinos. Po trajnerët a marrin shpërblim? Zero edhe trajnerët e Vllaznisë ndonëse punojnë me shumë pasion dhe nxjerrin  sportistë shumë të mirë. Vitin e kaluar Federata ka shpërblyer me nga 1 milionë lekë tre trajnerë që nuk kanë asnjë element cilësor në ekipet e tyre. Gjërat duhen ndryshuar, duhet vlerësuar e shpërblyer ata që punojnë dhe arrijnë suksese dhe jo ata që se meritojnë”- ka thënë trajneri Muhamet Tuzi.
Gjergj KOLA