Vllaznia e peshëngritjes është shpallur fituese e Kupës së Shqipërisë për grupmoshën U23. Garat e këtij aktiviteti janë zhvilluar ditët e fundit në Tiranë dhe janë shoqëruar nga dominimi i shtangistëve shkodraë që treguan dhe njëherë vlerat e tyre.
Kanë spikatur mbi të gjithë sportistët Antonino Mullisi, Sajmir Lagja dhe Klevis Bazi të cilët kanë zënë vendet e para në peshat respektive ku ato kanë konkurruar duke i dhënë në këtë mënyrë edhe ekipet pikët e duhura për të zënë vendin e parë në kompeticionin e dytë më të rëndësishëm kombëtar.
Padyshim që ky është një sukses për ekipin e Vllaznisë të drejtuar nga trajneri Artur Lagja, çka tregon se peshëngritja shkodrane është në rrugën e duhur. Sukseseve të mëparshme me ekipet U15, U17 dhe U20, i shtohet tashmë edhe suksesi me ekipin U23.
Ndërkohë, dy peshëngritësit e Vllaznisë Antonino Mullisi dhe Sajmir Lagja do të jenë pjesë e ekipit kombëtar që do të marrë pjesë në Kampionatin Europian U23 që do të zhvillohet muajin e ardhshëm në Durrës.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


