Shkruar nga Endri ÇINARI
Vllaznia e këtij sezoni është një skuadër që po përballet me pasojat e një ndryshimi të madh në organikë. Nga kuqeblutë janë larguar plot 13 futbollistë nga sezoni i shkuar, pjesa më e madhe e të cilëve kishin një rol titullari dhe peshë të rëndësishme në formacion. Një “revolucion” që duket se po ndikon edhe në performancën e skuadrës në këtë edicion.
Në portë, largimi i Pohls, titullari i sezonit 2025-26, krijoi nevojën për një zgjidhje të re. Ndryshimet kanë qenë të mëdha edhe në repartin difensiv, ku nuk janë më Çelikoviç, Gjini, Bajrami, Hakaj, Jago dhe Kuros. Pra, një pjesë e konsiderueshme e mbrojtjes që mbylli sezonin e kaluar është larguar, duke i lënë stafit teknik detyrën për të ndërtuar nga e para këtë repart.
Jo më pak të rëndësishme kanë qenë ndryshimet në mesfushë. Krymi, Sala, Kallaku dhe Mala ishin futbollistë që mbanin një peshë të konsiderueshme në lojën e kuqebluve dhe largimi i tyre ka lënë një boshllëk që deri tani nuk është rikuperuar plotësisht. Vllaznia ka afruar alternativa të reja, por koha dhe vazhdimësia kanë munguar për të krijuar menjëherë të njëjtin ekuilibër.
Edhe në fazën sulmuese ka pasur ndryshime, me largimin e Bismark, ndërsa Dodaj, i cili ishte huazuar te shkodranët në janar, gjithashtu nuk është më pjesë e skuadrës. Në total, bëhet fjalë për një numër të madh largimesh, që prekin praktikisht të gjitha repartet dhe jo vetëm një pozicion të caktuar.
Kjo situatë duket se po reflektohet në javët e para të këtij kampionati. Vllaznia ka ndërtuar një ekip të ri, por zëvendësimi i lojtarëve të larguar nuk mund të matet vetëm me numrin e afrimeve. Duhet kohë që futbollistët e rinj të përshtaten me skemën, shokët e skuadrës dhe kërkesat e stafit teknik, ndërsa rezultatet e deritanishme tregojnë se ky proces ende nuk ka përfunduar.
Në Shkodër, më shumë se një formacion është larguar gjatë verës dhe sot po ndërtohet një tjetër. Vllaznia duhet të gjejë ekuilibrin e munguar dhe të krijojë identitetin e ri nga java në javë. Një proces që kërkon vazhdimësi, ndërsa kuqeblutë janë ende në kërkim të versionit të tyre më të qëndrueshëm.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


