FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREGabriel Guri, portieri 20 vjeçar që e meriton të jetë në vëmendjen...

Gabriel Guri, portieri 20 vjeçar që e meriton të jetë në vëmendjen e kombëtares U21

Ditën e sotme është publikuar lista e kombëtares U21 për ndeshjen miqësore ndaj Ukrainës. Dhe në mes lojtarëve të grumbulluar nga trajneri Bushi janë edhe dy portierët Giulio Veliaj dhe Alain Taho. Ajo që të bën përshtypje është mungesa e portierit të Laçit Gabriel Guri, ndonëse pritej një ftesë edhe për të. Për më tepër që dy portierët e tjerë po luajnë pak ose më mirë të themi aspak në Seria C në Itali.


Nga ana tjetër Gabriel Guri, ish-portier i PSG U19, sezonin e kaluar ishte pjesë e Sassuolo U20, ku zhvilloi ndeshje të rëndësishme dhe paraqitjet e tij i siguruan një kontratë me ekipin e parë të Sassuolos. Ndërsa këtë sezon, për të fituar minuta dhe eksperiencë në futbollin profesionist, Guri u huazua te KF Laçi, ku po tregon se është gati për këtë nivel.


Në fillimin e sezonit 2026/27, ai ka qenë titullar në të 5 ndeshjet e Laçit të luajtura deri tani dhe madje në ndeshjen ndaj Vllaznisë zhvilloi një paraqitje që i siguroi vendin në formacionin e javës të Abissnet Superiores të përzgjedhur nga FSHF. Guri ka qenë gjithashtu pjesë e Kombëtares U19 më parë dhe tashmë është në moshën për të konkurruar për një vend te U21.

Pyetja është e thjeshtë: A duhet të vlerësohet një portier vetëm nga emri i klubit ku luan, apo edhe nga minutat, paraqitjet dhe forma që po tregon në fushë?


Në futbollin e moshave, minutat janë shumë të rëndësishme. Një portier i ri që luan rregullisht në nivel profesionist, përballet me sulmues të Superiores dhe tregon siguri në portë, meriton të paktën të jetë pjesë e diskutimit dhe të monitorohet nga afër.


Kjo nuk është një kërkesë për t’i hequr vendin askujt. Është thjesht një kërkesë që Gabriel Guri të vlerësohet mbi bazën e paraqitjeve të tij aktuale.Kombëtarja U21 duhet të jetë gjithmonë hapësirë për lojtarët që po tregojnë formë, minuta dhe potencial për të ardhmen. Gabrieli është vetëm 20 vjeç dhe karriera e tij sapo ka filluar.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments