Nga Gjergj KOLA
Pas një shkëputje për shkak të një dëmtimi, Erisa Rrasa rikthehet sërish në pedanë dhe është përsëri kampione e Shqipërisë. Ky është verdikti i garave të javës së kaluar që u zhvilluan në Elbasan, ku atletja shkodrane zuri vendin e parë dhe u shpall kampione kombëtare për vitin 2025 në garën e kërcimit së gjati, ndërkohë që zuri vendin e dytë në trehapësh.
Duke folur për gazetën “Shkodra Sport”, Erisa shprehet e lumtur që ia doli të jetë sërish kampione dhe për këtë vit. “Pavarësisht se kam patur një dëmtim të madh dhe nuk kam bërë rezultat të mirë, gjithsesi hyra në kampionat me qëllimin e vetëm për t’u shpallur kampione dhe ia dola me sukses.
Kuptohet që është gjithmonë kënaqësi të shpallesh kampione dhe gjërat në fakt për mua kanë shkuar mirë sepse në 7 vite që merrem me atletikë, kam dalë 5 herë kampione nga të cilat dy vitet e fundit titujt i kam rradhazi”- shprehet fillimisht atletja e Vllaznisë.
E pyetur kujt ia dedikon këtë sukses, Rrasa shton: “Këtë sukses ia dedikoj në rradhë të parë vetes për sakrificën që bëj çdo ditë, por edhe familjes që më ka mbështetur gjithmonë në çdo hap që unë kam hedhur”.
Cilat janë synimet e ardhshme për Erisën? Në përgjigjen e saj atletja 21 vjeçare shprehet se ka dëshirë të çojë deri në fund ëndrrën që ka patur që në fillim bashkë me ish- trajnerin e saj Vildan Tufi, e për këtë shton: “Kam dëshirë shumë që të punoj në mënyrë që të arrij të thyej rekordin e garës të kërcimit së gjati, pavarësisht se dëmtimet më kanë step pak dhe kam mbetur prapa në drejtimin e përgatitjeve.
Por nuk kam me u dorëzu në mënyrë që edhe profesor Vildani (Tufi) të më shikojë nga atje lart edhe t’ia plotësoj edhe ëndrrën e atij e cila na mbeti përgjysëm. Dua të them se profesor Brunoja tani kujdeset shumë për mua në stërvitje dhe besoj që mund ta realizojmë në të ardhmen, edhe me rezultate sa më të mira”.(www.shkodrasport.com)