Nga Endri ÇINARI

Vllaznia ka zhvilluar një gjysmë të parë të sezonit pozitive për sezonin 2024-25. Shkodranët pas 19 javësh ndodhen në vendin e 3-të me 31 pikë të grumbulluara. Vetëm 3 më pak se kryesuesit e Dinamos, e po ashtu duke pasur një distancë sigurie prej 6 pikësh me vendin e 5-të që mbahet nga Elbasani. Kjo performancë patjetër ka ndikuar edhe në rritjen e vlerës së kartonit për disa futbollistë.

Kështu futbollisti më i shtrenjtë tek Vllaznia tashmë është Kevin Dodaj. Falë 4 golave dhe 2 asisteve të tij deri më tani në këtë edicion, sulmuesi kap shifrën e 350 mijë eurove në merkato. Kjo edhe falë moshës së tij vetëm 19 vjeç, nga ekspertët ai vlerësohet me këtë çmim në tregun e shit-blerjeve të lojtarëve.

Por një rritje prej 100 mijë eurosh këtë vit në krahasim me atë të shkuarin ka pasur Esat Mala. Edhe mesfushori nga Prizreni sipas faqes së specializuar Transfermarkt kap shifrën e 350 mijë eurove në merkato.

Duke qenë kështu së bashku me Dodjan si dyshja e lojtarëve më të shtrenjtë në rradhët e kuqebluve. Treshen e parë për futbollistët me vlerën më të shtrenjtë e mbyll Kristi Qarri.

Portieri e ka rritur goxha çmimin për kartonin e tij, ku tashmë kap vlerën e 300 mijë eurove. Pas kësaj tresheje vijojnë një grumbull futbollistësh si: Jago, Krymi, Deliu, Qato, Kahrimanoviç dhe Gruda. Të gjithë këta lojtarë që shkojnë deri në shifrën e 250 mijë eurove në merkato.