Historia e dinastive, familjeve që i ka bashkuar një vërshëllimë, një profesion, është vërtet e rrallë. Një trashëgimi dhe traditë e krijuar sa farefisnore, aq edhe sportive. Bashkë në shtëpi e në fushë, në një kohë, në një ndeshje, me një xhaketë, atë me ngjyrë të zezë. Vëllezër apo babë e bir, një vazhdimësi në dhjetëvjeçarë që të befason.

Të vlerësuar deri edhe në FIFA, me të njëjtin mbiemër. Nga familja unike Pregja, ajo Dervishi, Kotherja, Kuka, Jareci, Pjetrushi, janë disa. Raportet midis tyre, pesha nga një emër te tjetri, vështirësia për të trashëguar e mbajtur famën e krijuar.

Pjesa më e madhe pa asnjë lidhje me futbollin, vetëm pasioni i lindur e kthyer në një edukatë, bashkë me shqetësimet e një bilbili familjar. Për të vijuar më pas edhe si vëzhgues të FSHF-së. Të paktë janë ata ish-futbollistë që vërshëllyen më pas edhe si arbitra.

QAZIM DERVISHI, ARBITRI I BALLKANIADËS

Qazim Dervishi, djali Astrit dhe nipi Melis. Të tre nga Shkodra. Qazim Dervishi ndërkombëtar, ndërsa Astriti dhe Melisi të FIFA-s, por në vite, kohë të ndarë nga njëri-tjetri. Qazim Dervishi (1908-1994) me profesion mësues, figurë poliedrike e sportit, Ish-atlet, në 1930 futbollist me nr. 7 i Bashkimit Shkodran, më pas arbitër. Spikat kur drejton Vllaznia-Hajduk 2-1 më 1945 dhe Shqipëri-Mali i Zi 5-0 në shtator të 1946-ës.

I caktuar si arbitër në Ballkaniadën e vitit 1946 të zhvilluar në Tiranë drejton ndeshjen Jugosllavi-Bullgari 2-1 dhe më pas si asistent në sfidën Shqipëri-Rumani 1-0. Më 12 shtator 1947 u arrestua nga qeveria komuniste për shkak të simpatisë që kishte ndaj ish-mbretit dhe u dënua me 18 vjet burg. Por, për shkak të kushteve shëndetësore iu dha liria në vitin 1954.

Traditën e krijuar nga Qazimi e vijoi shumë vite më vonë djali, Astriti. Ky i fundit fillimet e tij i ka në vitet ’80, për të pasuar më vonë si asistent deri më 2000, kur edhe përfundon karrierën. Madje, për disa vite edhe flamur i FIFA-s. I treti Dervishi i bilbilit është Melisi, djali i Astritit dhe nipi i Qazimit. Shumë shpejt evidentohet si talent në rolin e asistentit dhe menjëherë, në moshë shumë të re edhe asistent i FIFA-s. Ende sot është në aktivitet.
Uvil ZAJMI