Opinion nga Andi Matraxhiu

Pankinat në Shqipëri, në aspektin figurativ duken si teleferikët, kur njerëzit që hipin për të bërë një xhiro për qefin e tyre janë të shumtë dhe ndërrohen shpesh. Por në të kundërt nga ata që paguhen për të hipur në teleferik, trajneret e futbollit tonë paguhen, madje edhe me shuma të majme për të drejtuar ekipe të ndryshme. Rasti i fundit ishte largimi i trajnerit Hulian Rubio nga drejtimi i Flamurtarit. Spanjoli u mor plot bujë nga vlonjatët, por duket se tashmë rezulton një dështim total. Në fakt Flamurtari nuk dukej kurrë si Tirana “made in Rubio”. Por cudia vjen nga opinioni i gjërë sportivë, për më tepër ai mediatik. Deri dje disa prej këtij komuniteti ishin “tifoza” personal të Rubios dhe punës e tij tek Tirana. Të jemi realistë, të gjithë kanë parë triumfet e spanjolit me bardheblutë dhe pavarësisht se tani e sulmojnë duke sfumuar edhe ato merita që ai ka pasur duke fituar 2 Superkupa dhe 1 Kupë të Shqipërisë, për më tepër ndaj Skënderbeut, një kundërshtar që sot po dominon me meritë futbollin tonë. Tirana nën drejtimin e spanjolit ishte një skuadër me një tjetër fytyrë, duke rivalizuar edhe për titullin kampion, edhe pse po të ktheje kokën nga pankina mbase se kishte organikën e duhur me një armatë të njejtë si Skënderbeu, pasi dihet që kampionati është i gjatë dhe kërkon shumë alternativa për të rezistuar. Por Rubio i bëri ball situatave duke vendosur një skuadër luftarake dhe me zemër në fush. Mbase kjo traditë e njohur e bardhebluve, por që pas largimit të tij rrall herë është shfaqur në këtë pjesë të parë të kampionatit. Duke parë grupin tek Tirana dhe atë tek Flamurtari të vinë në mendje dy faktorë për dështimin e spanjolit: I pari konsiston në ngritjen e skuadrës në themel jo nga ana e tij, ku si regjizor nuk i ka zgjedhur ai aktorët e filmit dhe si pasojë jo i gjithë skenari mund të zbatohet, sipas imagjinatës së Rubios. Pra afrimi i tij mbase nuk erdhi në momentin e duhur dhe me një plumb u bënë “dy vetëvrasje” (Tirana dhe Flamurtari). Ndërkohë që i dyti mbase ka lidhje me mungesën e mentalitetit të ekipit vlonjat. Padashur të ofendoj një skuadër me tradita, por edhe investimet e mëdha dhe me dëshirën e një tifozi të zjarrtë të Flamurtarit, nga ana e presidentit (edhe pse është deklaruar i dorëhequr) Shpëtim Gjika, mendoj se vlonjatëve i mungon kompaktësia, fryma e mirë e grupit dhe vendosja e zemrës në fush. Gjë që i ka munguar sfidë pas sfide, një provë konkrete ishte barazimi në Shkodër me 3 gola diferencë. Problemet në radhët e kuqezinjve nuk i solli Rubio, ato janë të trashëguara, pasi edhe në të kaluarën Flamurtari ka pasur gjithnjë mungesën e arritjeve të rezultateve. Të shikojmë vazhdimësin e Flamurtarit për të gjykuar më mirë dhe saktësisht. Gjithsesi, njeriu që deri dje ishte heroi i mediave, tashmë është kthyer në shënjestrën e sulmeve të ndryshme mediatike, pasi ne shqiptarët e kemi shumë të lehtë të harrojme te djeshmen e bukur, mjafton nje dite me shi dhe harrojme diellin e bukur qe ka rrezatuar me pare. Keshtu u be edhe me Rubion teksa filluan ironitë e shumta, madje kishte edhe nga ata që me buzagaz bënin të ditur faktin se ishte këshilluar edhe në kombëtaren Shqiptare. Por personalisht nuk me duket një skandal që Rubio, një spanjol, është këshilluar për të drejtuar kombëtaren tonë, pasi ne nuk kemi pasur Mourinjon apo Ferguson në drejtim të kombëtares. Nëse do të krahasonim CV e trajnerëve të huaj që kanë drejtuar apo drejtojnë kombëtaren tonë me atë të Rubios, atëherë padyshim që diferencat nuk do të jenë shumë të mëdha, për të mos thën se ndonjërin prej tyre spanjoli e parakalon pa sinjal. Nuk jam i qartë nëse kritikat e shumta ndaj trajnerit në fjalë vijnë si pasojë e mungesës së rezultateve apo si pasojë e mos afrimit te tij me “gardhet” rrethuese të futbollit shqiptarë (media & CO) ? Nëse do të sulmohej për munges rezultatesh me një inat kaq të madh, atëherë spontanisht lind pyetja: A është Rubio i vetmi trajner që nuk ka arritur rezultatet e duhura këtë sezon, apo ka edhe të tjerë? Pasi në këndvështrimin tim personal ka edhe trajner të tjerë që kanë dështuar, por që mbrohen me fanatizëm nga “gardhi sportivë” dhe vazhdojnë të qendrojnë në krye të detyrës. Këtu kemi një paradoks që i humbet pikët dikujt dhe zbulon qartë aleanca të ndryshme. Mbase Rubio ka një gabim, atë të kafes tradicionale shqiptare. Mbase ai nuk është afruar shumë, aq shumë….sa duhet me njerëzit jashte stafit dhe ekipeve që ka drejtuar, madje ka pasur edhe polemika me drejtuesit e Tiranës, edhe pse jo në një ndonje zhurmë të madhe. Por thojnë se ai që punon ka edhe probleme në punën e tij. Në futbollin e sotëm europian një trajner bën profesionistin, ai stërvit skuadrën, mendon për të arritur objektivat e klubit, në të kundërt jep dorën dhe largohet, nuk qendron për të pirë kafe sërish në skuadër. Ndërkohë që “gardhi sportiv” ka një tjetër vizion: Pa kafe tradicionale nuk je një trajner i mirë ! Mbase Rubio më parë duhet të kishte studjuar terrenin, ku që nga kroati Josip Kuzhe, trajner i kombëtares, edhe trajnerët e tjerë që kanë drejtuar dhe drejtojnë në ekipet shqiptare, kanë respektuar gjithnjë “gardhin sportivë” duke kthyer filxhanin për të parë dhe qarë hallet e futbollit tonë në stilin fallxhor. Mbase Rubio na ka ofruar profesionalizëm, por që nuk kemi ditur ta kuptojmë, pasi këtë të fundit e lidhim me gjëra të tjera. Atyre nuk i pëlqenin as tipa si ceku Stanislav Levi, i cili ia përmbyste kafetë të gjithëve në surrat, por për arsye të tjera e luftonin nga larg, shumë larg duke e goditur me ndonjë gur në pemën e tij. Pra që të jesh një trajner i mirë në Shqipëri duhet të dish të bësh të paktën nje kafe turke. Por Rubio nuk është pa mëkate në drejtimin e tij profesional, por sigurisht nuk mund të quhet mëkatar se nuk i ka ofruar kafen “magjike”….