Mohamed Salah ka shtangur tifozët e Liverpool atëherë kur më pak e prisnin. Në mes të lumturisë pas fitores së madhe në fushën e rivalëve të përjetshëm të Manchester United, ylli i “The Reds” tha para mediave se ky do të jetë sezoni i tij i fundit me Liverpool, shkruan A2.
Menjëherë pas ndeshjes së shkëlqyer që zhvilloi, duke ndihmuar ekipin e tij me një gol e dy asiste në fitoren 3-0 në “Old Trafford”, sulmuesi egjiptian dha lajmin e bujshëm.
Për “Sky Sports”, Salah tha: “Siç e dini, ky është sezoni im i fundit te Liverpool. Dua vetëm ta shijoj. Askush nga klubi nuk ka folur me mua për rinovimin e kontratës, kështu që ky do të jetë sezoni i fundit. Nuk ka problem”.
Një deklaratë e tillë lë të kuptosh se Salah dëshiron që të vijojë të luajë me “The Reds”, por drejtuesit e klubit jo. Për këtë arsye, Salah ka vendosur të jetë i pari që jep lajmin e papritur.
Një vit më parë, Liverpool refuzoi një ofertë prej 200 milionë eurosh nga Arabia Saudite për sulmuesin Salah. Ndërsa tani, nëse gjërat nuk ndryshojnë, egjiptiani do të largohet me parametër zero nga klubi legjendar anglez pas 8 sezonesh fantastike.