Nga Endri ÇINARI

Përveç Bekim Balajt që ka qenë lideri i Vllaznisë këtë sezon me 19 golat e shënuar deri më tani, është edhe një futbollist tjetër që ka spikatur në rradhët e kuqebluve. Fjala është për Esat Malen, i cili po kalon edicionin më të mirë në karrierë. Dhe këtë e vërtetojnë edhe shifrat e prizrenasit, që ka qenë jo vetëm një nga lojtarët bazë të formacionit, por edhe një prej atyre që ka kontribuar më shumë.

Kështu 26-vjeçari ka zhvilluar 36 ndeshje këtë edicion me ekipin e Brdariç. Ndër këto takime, ish-futbollisti i Partizanit ka shënuar 7 gola dhe ka dhuruar 12 asiste. Shifra rekord në karrierën e shtatshkurtërit deri më tani. Ku përsa i përket asisteve, asnjë futbollist nuk ka bërë më mirë se numri 20-të i Vllaznisë këtë edicion. Patjetër Mala tek Vllaznia është një ngq futbollistët më të vlerësuar, për vetë faktin çfarë jep në fushën e lojës.

Tek shkodranët shpresojnë tek një formë e shkëlqyer e tija edhe në finalen kundër Egnatias. Kundërshtar ndaj të cilit, Mala gjeti golin në ndeshjen e fundit të përfunduar në shifrat 2-2 mes dy skuadrave. Po ashtu eksperienca e mesfushorit në një duel të tillë kaq vendimtar është me të vërtetë e vlefshme. Duke konsideruar se ai është një herë kampion i vendit në sezonin 2018-19 me fanellën e Partizanit.