Opinion nga Dr. Leonidha Pepo

Sa herë ka ngjarje të rëndësishme të sportit të mrekullueshëm të skive, më shtyn në mënyrë të vetvetishme dhe më vonë më rritet dëshira të shkruaj diçka,  aq më tepër për entuziazmin që krijoi  gara e skive, nën slloganin “Shkodra, në ski”. Veprimtaria ishte organizuar nga klubi “Vllaznia”, në bashkëpunim me Federatën e Skive të Shqipërisë, si dhe nga shoqata “Shkodra-Ski”.

Sepse dihet që ata janë dashamirës të malit, shëtitjeve dhe sportit të skive, që kalon brez pas brezi,  duke nxitur zhvillimin e këtij sporti  te fëmijët e tyre dhe duke përsosur stilin e rrëshqitës dhe, pse jo, të jenë fitues në garat e rëndësishme, lokale e kombëtare dhe më gjërë. Shumë të interesuar ishin sidomos prindërit e fëmijëve, që do të hipnin e të garonin, mbase për herë të parë në jetën e tyre. Veprimtaria ishte tepër festive, duke u dhënë kënaqësi të veçantë atyre dhe të gjithë të afërmëve. Duhet përmendur, që garat u zhvilluan në një qytezë, me stacion skish shumë të dashur për gjithë banorët e qytetit të Shkodrës, që quhet “Kolashin”. Pjesëmarrësit u ndanë në tre grupmosha, që gara të zhvillohej në kushte të barabarta . Grupi i parë ishin fëmijët, i dyti të rinjtë dhe më pas të rriturit. Gara u zhvillua në pistën e parë të Kolashinit, natën e me drita, pra me projektorë, me gjatësi 350-400 m. Ajo u përgatit me bazë materiale të vetë të zotëve të shtëpisë dhe me specialistë të aftë. Grupi ishte përbërë nga: L.Pepo, kryetari i Federatës të Skive, Shkëlqin Mema dhe i paplakuri e me paraqitje të re, Ymer Ahmeti dhe pjestari i Klubit ” Vllaznia“, Gëzim Mema. Pista ishte marrë me qera, nga ora 16.00-19.00, kohë e mjaftueshme kjo për të parë të gjithë pjesëmarrësit dhe fituesit të kishin kënaqësinë e çmimit . Duhet përmendur që gara u zhvillua të premten pasdite, fakt ky që kufizoi një pjesëmarrje më të madhe, ngaqë njerëzit janë në punë, ndërsa të shtunën shkojnë shumica e shkodranëve.

Tani po flasim pak për garën, që ishte e bukur dhe la mbresa të pashlyera te pjesëmarrësit. Ishte e papritur për ne specialistët e skive, që pamë përgatitjen e shkëlqyer të fëmijëve dhe të rinjve garues . Më pas ishin të rriturit, të cilët, siç duket, që në fëmijëri kishin vendosur bazat për të qenë të mirë dhe për të siguruar të ardhme të suksesshme. Aq të mirë ishin, si në qëndrueshmëri, por edhe në stil, sa u penduam që garat të zhvilloheshin në kushte më të vështira, të pistës të pjerrët dhe të gjatë. Pjesëmarrësit dalloheshin për veshjet e tyre sportive të bukura, si ato që shohim në televizor, gjatë garave ndërkombëtare të skive. E papritur për ne dhe për herë të parë në Shqipëri, na u shfaq një djalosh, që sipër kokores kishte të fiksuar një kamera, duke xhiruar garën e vet gjatë rrëshqitjes. Ai quhet Brendi Hoti, shumë i entuziazmuar dhe i përkrahuar nga babai i tij, Dr. Kliti, me synimin për të arritur rezultate të mira dhe vend në klasifikim. Por njëri ishte më i miri midis të rinjve, Dahlin Boriçi, i cili e meritoi vendin e parë. Qysh në vogëli ai i kishte ndjekur garat e vendeve të ndryshme. Veprimtaria u ndoq me kërshëri nga të gjithë të pranishmit, si protagonsitët dhe shikuesit, saqë hynin 3-4 herë në garë. Ju tregova që rezultati është shënuar, por edhe drejtuesit i pranonin me zemërgjërësi këto lëshime të rregullores. Kësisoj, kjo garë masive u kthye në shfaqje të vërtetë sportive e festive. Pra, të gjithë mbetën të gëzuar e të entuziazmuar, nën ata projektorë, që e ndriçonin pistën e skive natën, duke shtuar brohoritjet e thirjet gazmore e me shakara të të pranishmëve. Amatorët bënë fotografi e filmuan dhe kështu u dokumentua mirë kjo veprimtari e bukur, që mbetet e fiksuar edhe për të ardhmen.

Mbrëmja e mrekullueshme u mbyll me një darkë për gjithë pjesmarrësit, në restorantin e pistës, ku hareja qe e pranishme. Aty u shpërndarë çertifikatat për pjesëmarrësit në gara dhe çmimet, sipas pozicionit të fituesve. Ky organizim u përshëndet nga kryetari i Federatës Sportive të Skive. Ai premtoi bashkëpunim më të ngushtë në të ardhmen, për të rritur cilësinë e garave. Gjithashtu, foli njëri prej organizatorëve, Dr. Kliti Hoti, vetë garues me të rriturit. Ndërsa dy fëmijët e tij pjesëmarres premtojnë për më tepër sukses. Kryegjyqtari Gëzim Mema e kishte pjesën e vetë të diskutimit, që nënvizoi se të  gjithë garues janë nxënës e studentë, sepse sporti i skive është i shkollarëve, larg alkoolit e cigares. Sepse ai vetëm të fisnikëron, ta futë ndjenjën e grupit dhe të marrëdhënieve të sinqerta e të miqësive të mira. Kishte nga ata garues, të cilët u kthyen po atë natë në shtëpitë e tyre, sepse të nesërmen kishin provime në shkolla. Por ndjenja e garës tërheq dhe përgjegjësinë e ndërgjegjes, duke mobilizuar gjithë forcat psikologjike e fisnike të njeriut. Kjo është përgjithësuese dhe e e përbotshme. Një tjetër ndihmesë e rëndësishme na erdhi nga bashkatdhetari jashtë vendit dhe pikërisht nga Italia, me punën dhe pasionin e tij të sukseshëm. Ai është skiator i mirënjohur, pjesëmarrës në Olimpiadat e Bardha, siç quhet olimpiada e skive, Erion Tola. Bashkëpunëtor me autorin italian, Roberat Bonavita, nxorën në dritë botimin shumë të mirë, “Teksti teknik për instruktorin e skive”. Ai është i pajisur me shpjegim të kuptueshëm dhe të ilustruar mirë, me fotografi mësimdhënëse të skive, që nga fillestari dhe deri te profesionisti, përfitues dhe të ushtrimeve të vështira. Ky tekst, i cili është në dy gjuhë, pra italisht e shqip, njihet teksti zyrtar i Federatës Shqipate të Skive. Dy kopje të këtij libri të mrekullueshëm, tashmë, janë pjesë e  Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, për ta bërë të shfrytëzueshëm nga shumica e gjërë e njerëzve të interesuar për këtë sport, që gjithesesi është në rritje.

Në fund, mendoj se shqetësim kryesor mbetet që njerëzit tanë, sportistët, të mos shkojnë jashtë vendit për të ushtruar skitë, por të mbeten në Shqipëri, që edhe paratë të shpenzohen këtu, duke zhvilluar bizneset. Duhen vlerësuar përpjekjet e Maqa Tashos, Dr. Isuf Aliçkës e prof. Kristaq Titilit, për ta bërë një pistë skish dhe deri diku një lift me litar, që plotëson pak nevojat e sikatorëve dhe ua lehtëson shumë mundimin skiatorëve. Kështu, po ja vlen që njerëzit të shpenzojnë paratë në vendin tonë. Pista, e pajisur me restorant, si kudo në botë, plotëson gjithë kënaqësitë, që kërkojnë turistët, sportistët, nxënës e studentë, pensionistë etj. Për statistikë, po shënojmë klasifikikimin e garave për fëmijët, të cilat janë: Endrin Hoti, Driti Hoxha e Rei Hoxha. Ndërsa për të rinjtë janë: Dalin Boriçi, Brendi Hoti e Igli Topalli dhe për të rriturit: Jozef Shiroka e Jozef Luka. Duke e mbyllur këtë shkrim, shpresojmë e besojmë që veprimtari të këtij lloji do të jenë më të shpeshta dhe me pjesëmarrje më të madhe në të ardhmen.