Nga Endri ÇINARI
Shpesh e kemi thënë se futbollistët shkodranë janë të shpërndarë në mbarë Botën. Një prej tyre është edhe Elmir Lekaj i cili prej thuajse 2 vitesh është transferuar në SHBA, ku po vijon edhe karrierën e tij në futboll. Ish-mbrojtësi i Vllaznisë së fundmi është shpallur kampion me ekipin e Duka FC në kontinentin e largët.
Në rolin e kapitenit, 24-vjeçari ka ngritur trofeun e Liga USPL. Liga e tretë për nga rëndësia në SHBA. Duke u shpallur kështu kampionë të shtetit të Michiganit.
Një arritje që i garanton ekipit të Lekajt të vihet përballë kampionëve të të gjitha shteteve në vend. E nëse ia arrijnë t’ia dalin me sukses edhe kësaj sfide, Duka FC mund të marrë pjesë në US Open Cup, ku mund të kenë përballë edhe skuadrat e njohura të MLS.
Por mbrojtësi i djathtë nuk është i vetmi ish-lojtar i Vllaznisë pjesëtar i këtij ekipi. Kjo pasi me skuadrën amerikane luan edhe një tjetër ish-mbrojtës kuqeblu si Aleksander Isaevski. Të dy futbollistët kanë qenë shumë të rëndësishëm për formacionin e Duka FC. Ku me eksperincën e cilësitë e tyre kanë qenë pjesë e kësaj arritje historike për skuadrën.
Për tu theksuar është se presidenti i kësaj skuadre është po ashtu një shkodran. Ai quhet Gentian Nonaj, një biznesmen shkodran i cili tashmë po investon në futbollin amerikan.
Ku në pak kohë ka ndërtuar një skuadër simpatike që po ngjit një nga një hapat në futbollin e madh në SHBA. Një inciativë patjetër për tu duartrokitur që tregon edhe njëherë dashurinë dhe lidhjen e madhe që kanë shkodranët me futbollin kudo të jenë nëpër Botë.