Nga Maringlen ZHIVANI

Ekipi i Vllaznia U-16 po bën një paraqitje shumë të mirë në kampionatin kombëtar të moshave. Një meritë në fitoren e javës së fundit ndaj Dinamos me rezultatin 4-0, ka edhe portieri Rei Shpuza, i cili e mbajti të paprekur rrjetën e portës së Vllaznisë.

Në fakt, gjatë ndeshjes një nga futbollistët e Dinamos bëri një goditje spektakolare në drejtim të portës së Vllaznisë, por portieri Shpuza kishte një reagim fantastik.

Ky momenti mori edhe vëmendjen e faqes zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit, e cila e ka shpërndarë në rrjetet sociale. Për hir të së vërtetës, në të gjitha ndeshjet e zhvilluara deri tani me grup-moshat e ndryshme, 14-vjeçari ka bërë paraqitje shumë të mira, duke marrë herë pas here edhe vlerësimet e specialistëve të pranishëm.

Shpuza ka konstruktin dhe të gjitha parametrat që mund të premtojnë shumë për të ardhmen e tij, por kuptohet që është ende herët për të dalë në një konkluzion të tillë. Megjithatë, karriera deri më tani ka qenë shumë e mirë për Shpuzën. Pasionin për futbollin dhe konkretisht për pozicionin e portierit, Rei e ka marrë nga babai i tij, Ali Shpuza, i cili edhe ai ka qenë ish-portier dhe tashmë është pjesë e stafit teknik të Akademisë Vllaznia.

Shpuza, i cili njëkohësisht është edhe pjesë e ekipeve Kombëtare të moshave, synon që duke punuar me përkushtim në proçesin stërvitor, një ditë të bëhet pjesë e Vllaznisë së madhe. Padyshim që, paraqitjet e tij të deritanishme, do ta motivojnë atë për të punuar edhe më shumë në të ardhmen, në mënyrë që të rritet nga dita në ditë.