Kjo foto i përket datës 1 nëntor 2003, pikërisht në ndeshjen Vllaznia- Partizani e mbyllur me fitoren 2-1 në favor të shkodranëve. Ky është një moment gëzimi i kuqebluve të cilët kanë shënuar golin e fitores me anë të Edi Martini.

Ka mjaftuar topi i dërguar në rrjetë nga ana e tij që shkodranët të nisin një “kala dibrançe” ku autori i golit rrethohet nga Vioresin Sinani, Hamdi Salihi, Franc Ahi e Admir Teli ndërkohë që në foto duket edhe Armando Cungu që vjen për t’iu bashkuar kësaj feste.

Ka qenë një sezon i cili nisi me probleme për Vllazninë sepse në qershor të atij viti iu vra ish-presidenti Myftar Çela.

Por më pas, erdhi në organizim i shpejtë dhe në krye të klubit u vunë disa donatorë si Agron Çela, Valter Fushaj, Xhevdet Amuli etj dhe skuadra u paraqit mirë dhe u rendit në vendin e tretë me 68 pikë, vetëm tre pikë larg Dinamos së vendit të dytë ndërkohë që kampione u shpall Tirana me 80 pikë.

Në këtë kampionat ka spikatur treshja sulmuese e Vllaznisë e përbërë nga Sinani, Martini dhe Salihi dhe të tre sëbashku patën shënuar 67 gola (Sinani 36, Martini 17 dhe Salihi 14).
© shkodrasport.com