Nga Maringlen ZHIVANI

Sulmuesi shkodran Erald Maksuti është një prej futbollistëve që ka lënë shenjë te Apolonia në fillimin e këtij sezoni të ri. Ai ka shënuar pesë gola në shtatë ndeshje të luajtura prej tij deri më tani, duke shpërblyer mundin dhe punën e bërë.

Edhe në ndeshjen e fundit që Apolonia kishte ndaj Erzenit, Maksuti shkëlqeu dhe shënoi një dopietë, teksa ai vijon të mos ndalet me golat e tij prej tre duelesh, ku ka realizuar me Burrelin, Korabin dhe Erzenin.

Maksuti ka rënë në sy me paraqitjen mjaft të mirë në Fier në këtë fillim sezoni, por veçanërisht edhe vitin e shkuar bëri ndeshje shumë pozitive. Falë paraqitjes së mirë tek Apolonia,

Makusti arriti të grumbullohet për herë të parë nga Kombëtarja U-21, me të cilën gjeti edhe rrugën e rrjetës. Sulmuesi shkodran ka disa kohë që është në “lupën” e merkatos, ku Skënderbeu ka shfaqur interesim të madh për të, por jo vetëm.

Sulmuesi, falë paraqitjeve mjaft pozitive me Apoloninë, ka zgjuar interesin e disa ekipeve në Superiore dhe me një kalim të tij aty, patjetër që i rriten kreditet për të pasur një karrierë me një të ardhme të ndritur përpara. Në sezonin e shkuar, në 32-ndeshje me fanellën e Apolonisë,

Maksuti shënoi shtatë gola, teksa për shkodranin ky është viti i katërt rradhazi për të që luan me fierakët dhe ndoshta mund të jetë i fundit, pasi gjasat janë që ai së shpejti ta vijojë karrierën e tij në Superiore./www.shkodrasport.com/