Eliminimi i Egnatias dhe Partizanit nga Conference League këtë të enjte ka fshirë përfundimisht flamurin shqiptar nga kupat europiane të këtij edicioni të ri.

Vllaznia e Tirana u eliminuan që në raundin e parë nga Valur dhe Torpedo, ndërsa kampionët e Superiores, Egnatia u përmbysën nga Vikingur teksa kishin fituar ndeshjen e parë. Rrogozhinasit u eliminuan fillimisht nga Borac në raundin e parë të Champions League duke i mbyllur këto kualifikuese me 2 humbje.

Partizani nga ana tjetër ishte i vetmi ekip që kaloi të paktën një raund teksa mposhti mes shumë vështirësive maltezët e Marsaxlokk për t’u mposhtur më pas nga Iberia.

Ndryshe Kosova që vijon edhe këtë sezon sukseset ndërkombëtare me dy ekipe, Dritën dhe Ballkanin që garojnë në raundin e tretë të Conference League. Madje edhe Decic Tuz nga treva e Malësisë së Madhe që luan nën flamurin e Malit të Zi është pjesë e këtij raundi.

Me të 4 flamurbajtësit kuqezi të eliminuar, Shqipëria futet mes 6 shteteve pa asnjë përfaqësues në kupat e Europës pas Maltës, Maqedonisë së Veriut, Lihtenshtejn, Luksemburg dhe San Marinos. Këto rezultate kanë sjellë edhe rënien në renditje të kampionatit shqiptar që tashmë mban vendin e 44-të në Europë nga 55 gjithsej.