Kombëtarja shqiptare U-15 luajti pasditen e sotme ndeshjen e dytë miqësore ndaj Maqedonisë së Veriut, në stadiumin “Skënderbeu” të Korçës.
Kuqezinjtë triumfuan në këtë takim me rezultatin 2-0 me golat e Haxhi Rrenës dhe Mattia Xhemalit.
Trajneri Armand Damo e nisi ndeshje ndaj Maqedonisë së Veriut me këtë formacion titullar: Bastian Brunga (GK), Eno Resuli, Joart Mile, Rian Neza, Denis Nikolli, Angelos Como, Erjon Vajushi, Alis Cela, Haxhi Rrena (C), Gentjan Sharka, Mattia Xhemali. Siç shikohet ne kete ndeshje ne porte ka luajtur shkodrani i Fiorentines Bastian Brungaj i cili e ka mbajtur ate te paprekur. Njekohesisht titullar ka qene edhe shkodrani tjeter Erjon Vajushi.
Ashtu si edhe në miqësoren e parë Shqipëria U-15 bëri një paraqitje shumë të mirë, duke dominuar lojën e duke krijuar vazhdimisht raste për shënim. Vetëm në pjesën e parë kuqezinjtë goditën tre herë shtyllën. Fillimisht me Erjon Vajushin në minutën e 7-të, ndërsa në të 15-ën me Haxhi Rrenën. Përsëri në fundin e fraksionit të parë Shqipëria u ndal nga shtylla, këtë herë ishte Gentjan Sharka për kuqezinjtë.
Djemtë e Damës e nisën mirë edhe pjesën e dytë, teksa trajneri kreu disa zëvendësime, duke aktivizuar lojtarë të stolit. Shqipëria gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 57-të me Haxhi Rrenën. Sulmuesi kaloi mbrojtësin kundërshtar dhe me një gjuajtje të bukur zhbllokoi rezultatin.
Kuqezinjtë shënuan golin e dytë dhe të qetësisë në minutën e 76-të me Mattia Xhemalin. Më pas djemtë administruan fitoren dhe sfida u mbyll 2-0.Dy miqësoret ishin një mundësi shumë e mirë për të testuar e vëzhguar nga afër lojtarët e grumbulluar.