Historia e futbollit shkodran natyrisht që ka patur brenda shumë emra të njohur. Dikush më shumë dhe dikush më pak, kanë ndihmuar në rritjen e emrit të kësaj skuadre dhe jo më kot, ajo sot është një emër i nderuar në futbollin shqiptar. Një nga emrat e nderuar të saj ka qenë padiskutim Shuajp Keraj i cili ka luajtur për Vllazninë e viteve ’50. Karriera e këtij sportisti do të niste në moshën 15 vjeçare si pjesë e shoqërisë së ekipit së lagjes Rus Maxhar sëbashku me Shaban Avdinë, Medo Cuciqin dhe Bahri Kavajën. Ndeshjen e parë zyrtare me ekipin e Vllaznia Keraj e ka luajtur ndaj Partizanit, ndeshje kjo e vlefshme për Kupën e Republikës ku shkodranët fituan 3-2. Formacioni i tyre në këtë ndeshje ishte ky: portier Ahmet Nuti, beg Beqir Osmani e Muhamet Dibra, alf Shuajp Keraj, Latif Alibali dhe Adem Smajli ndërsa sulmues ishin Bimo Fakja, Loro Boriçi, Xhelal Juka, Ernest Halepjani e Zyhdi Barbullushi. Trajner dhe kapiten i ekipit ishte Loro Boriçi. Pas kësaj ndeshje, Vllaznia do të merrte pjesë në turneun e Zagrebit ku do të mundej thellë 8-0 nga Dinamo e Zagrebit por në fakt për shkodranët ishte një problem i madh zhvillimi i ndeshjes në temperaturën -10 gradë celcius. Megjithatë në gazetat kroate atëherë shkruhej: “Dinamo fitoi me Kampionen e Ballkanit”, ngaqë në rradhët e Vllaznisë në atë periudhë bënin pjesë plot 7 futbollistë që ishin pjesë e kombëtares Shqiptare në vitin 1946 kur ajo u shpall Kampione Ballkani. Karriera nis mirë për Kerajn por në kulmin e formës së tij detyrohet të shkëputet për tre vjet nga futbolli. Arsyeja ishte shërbimi i detyrueshëm ushtarak dhe meqë Shuajpi rridhte nga një familje zogiste, nuk e lejojnë të luajë me ekipet e Tiranës por përfundon në repartin e Saukut që në atë kohë quhej “kampi i përqendrimit ushtarak”. Këto tre vjet shkëputje nga futbolli ndikuan shumë tek ai si futbollist megjithatë në janar të vitit 1950 rikthehet të aktivizohet me Vllaznisë dhe këtë gjë do ta bëjë deri në vitin 1959.
Për 9 vjet si futbollist i Vllaznisë në fakt ai nuk merr asnjë trofe me të ngaqë është një periudhë jo shumë e suksesshme për skuadrën shkodrane. Kjo erdhi ngaqë sipas Shuajpit, respekti i Federatës ishte i pakët për Vllazninë si dhe nga marrja e talenteve nga ekipet e kryeqytetit. Madje në një ndeshje kundër Dinamos, kujton Keraj, arbitri nxorri me karton të kuq Xhelal Jukën. Tifozët brohorisnin “Juka, Juka” e ndeshja u ndërpre për 20 minuta. Një oficer i sigurimit i pranishëm në stadium u shpreh se shkodranët thërrasin për Jukën, ish- ministër i brendshëm i Zogut dhe nga goja e tij dilnin sharje nga më të ndryshmet për popullin e Shkodrës si reaksionar e i pandreqshëm. Madje për këtë incident, u morën edhe masa ndaj Vllaznia. Gjatë kësaj periudhë Vllaznia ka luajtur shumë pak ndeshje ndërkombëtare teksa një e tillë ka qenë ajo ndaj Spartakut të Moskës e Dozhës së Budapestit. Keraj ka qenë protagonist në këto ndeshje teksa dallohej për përgatitjen fizike ndonëse në aspektin teknik nuk ka qenë në nivelin e duhur pasi nuk kishte përdorim të mirë të topit.
Ka një fakt interesant. Në ndeshjen ndaj Spartakut të Moskës, Shuajp Keraj nuk ka qenë i planifikuar të luante në formacion ngaqë shkodranëve iu tha se do të luhej miqësisht. Por kur Lutfi Laçja tha që do të luante volejboll, atë e pezulluan dhe në vend të tij hyri Keraj. Në fakt Spartaku nuk luajti ashtu siç u tha- miqësisht, por dha më të mirën e tij në fushë dhe fitoi 9-0. Në vitin 1954 ndërkohë vjen ekipi përfaqësues i Polonisë. Ndeshja u zhvillua në stadiumin e ri të Shkodrës dhe polakët fituan 4-1 dhe golin e vetëm për Vllazninë në atë ndeshje e shënoi Hamdi Bakalli. Por ndeshja më e bukur dhe mbresëlënëse në ato vite ka qenë ajo që u zhvillua ndaj Dozhës së Budapestit në vitin 1955. Në rradhët e këtij ekipi ishin pjestarët e ekipit kombëtar të Hungarisë që mori pjesë në Botërorin e një viti më parë. Ky ekip ndeshjen e parë në Shqipëri e kishte luajtur kundër Përfaqësueses së Tiranës dhe e kishte fituar 7-2. Por kundër Vllaznisë ishte ndryshe. Për trajnerin e saj Rifat Rusi problemi kryesor ishte bllokimi i lojtarit kryesor të ekipit hungarez sulmuesit Ferenc Suza dhe trajneri Rusi, një njohës i mirë i futbollit modern, ia ngarkoi mbulimin e tij mbrojtësit Shuajt Keraj duke i dhënë detyrën ta markonte në çdo cep të fushës me ose pa top. Dhe Keraj ia arriti me sukses, madje në një moment, Suza me topin në këmbë, detyrohet ta lëshojë përpara dhe i drejtohet mbrojtësit të Vllaznisë: “Merre, ja ku e ke topin” por përgjigja e Shuajpit ishte e hollë: “S’më duhet topi, por ti”. Në fund të ndeshjes u arrit rezultati i barabartë. Natyrisht që formacioni i asaj ndeshje kujtohet nga të gjithë. Në portë ka qenë Sulejman Maliqati, beg Muhamet Dibra e Rifat Cufja, centërbeg Qemal Cungu, alf Shuajp Keraj e Hysen Vërria, në sulm alo i djathtë Hamdi Bakalli, Qamil Medja, centrofor Loro Boriçi, malo i majtë Eqerem Tallushi e Alush Bakalli.
Për Shuajp Kerajn, dy njerëz të veçantë ka njohur në karrierën e tij: Loro Boriçin i cili ishte personi që e ofroi tek Vllaznia si dhe Rifat Rusi, një trajner modern. Natyrisht tek ai kanë lënë mbresa edhe Shaban Avdija, Hamdi Bakalli, Xhelal Juka, Adem Smajli, Prek Gjeloshi, Kol Gjoni, Harap Shkreli, Muhamet Dibra, Sheuki Bosnjaku e shumë të tjerë pa përmendur kundërshtarët e tillë si Skënder Jareci, Zihni Gjinali, Vasif Biçaku, Refik Resmja etj.
Gjergj KOLA