Dy boksierët shkodranë Kristian Shytani dhe Arjon Kajoshi kanë marrë medalje të arta në turneun ndërkombëtar të Bosnjës të zhvilluar këtë fundjavë në Sarajevë. Ata kanë arritur të sfidojnë kundërshtarët e tyre në ndeshjet finale të zhvilluara mesditën e sotme duke bërë që flamuri shqiptar të ngrihet lart edhe në këtë aktivitet ku merrnin pjesë boksierë nga 10 shtete të Europës. Turneu i cili është i përvitshë, sivjet ishte edicioni i 13-të i tij, mban emrin e gjeneralit Mustafa Hajrulahoviç dhe nga viti në vit po merr përmasa edhe më të mëdha. Në edicionin e sivjetëm Shqipëria u përfaqësua me tre boksierë, ku përveç dy shkodranëve Shytani e Kajoshi ishte edhe tiranasi Anxhelo Merkohasanaj por ai është mundur në gjysmëfinale nga një boksier kroat.

Kajoshi ndërkohë në gjysmëfinale fitoi ndaj një boksieri bosnjak ndërsa Shytani ka qenë me fat sepse në bazë të shortit të hedhur, ka kaluar direkt në finale. Takimet e ditës së fundit kanë dhuruar emocione. I pari nga boksierët tanë është ngjitur në ring Shytani që ka patur përballë boksierin slloven Gal Smit. Finalja e peshës 75 kg është dominuar nga boksieri shqiptar dhe gjyqtaria në fund ka dhënë rezultatin 2-0 në favor të tij e për rrjedhojë ka merituar edhe medaljen e artë. Menjëherë pas tij në ring është ngjitur Kajoshi. Ai kishte përballë boksierin vendas Xhorxhe Tomiç por ka bërë një boks të bukur duke merituar edhe duartrokitjet e publikut vendas dhe në fund gjyqtari i ka dhënë atij fitoren me rezultatin 2-0. Një sukses i madh për këtë sportist që pikërisht pardje ka festuar 19 vjetorin e lindjes. Në këtë mënyrë është mbyllur ky turne në mënyrën më të mirë të mundshme me dy medalje të arta dhe për këtë arsye, trajneri i ekipit tonë Jozef Sermi që ka shoqëruar sportistët në këtë aktivitet, shprehet mëse i kënaqur me paraqitjen e bërë nga ato dhe për më tepër i lumtuar që ato kanë marrë duartrokitje të shumta nga publiku i Sarajevës që ka ndjekur me interes këtë turne.
Gjergj KOLA

 

Boksieret Shytani e Kajoshi me medaljet e fituara sot ne Sarajeve.