Atletika shkodrane ka nxjerrë gjithnjë figura të mëdha. Si sportistë dhe si trajner. Një i tillë ishte padiskutim edhe Kujtim Rrjolli, i cili u nda para kohe nga jeta kur kishte shumë për t’i dhënë këtij sporti. Ka qenë viti 1996 kur ai u nga në mënyrë të papritur nga jeta duke lënë përgjysëm një punë që e bënte me shumë pasion, atë të stërvitjes dhe nxjerrjes së atletëve kampionë. Të gjithë e kujtojnë Kujtimin si një njeri të qetë, të matur, punëtor, të fjalës dhe të burrërisë, i dashur me të gjithë që veç mjaltë nxirrte gjithnjë nga goja. Ka qenë një sportist cilësor, një trajner me një figurë të pastër. Puna e tij plot pasion falë cilësive shumë të mira fizike e bënë atë një ndër hudhësit e çekiçit më të mirë të Shqipërisë. Rezultati 53 metra që ai kishte arritur në atë kohë, ishte shumë i mirë për kohën por jo i ardhur rastësisht. Kjo erdhi falë punës së palodhur të Kujtimit bashkë me trajnerin e tij Myzafer Vorfa. Vazhdon të punojë sëbashku me Llesh Vuksanin si trajnerë- sportistë dhe në vitin 1981 Kujtimit i besohet drejtimi i ekipit të hudhësave të Vllaznisë si trajner. I pandarë nga sportistët me përvojë si Kujtim Boshnjaku, Nefail Kraja, Pjerin Tafili e Viktor Gjoka, ai ndërtoi një ekip simpatik i cili shumë shpejt do të jepte rezultatet e para: me kampionë e rekordmenë në të gjitha grupmoshat. Kujtim Rrjoli merrte vlerësime edhe nga kolegët e tij Viktor Gjoka, Rita Bruzhdulli, Gjyljana Bikuri, Zemje Breçani, Artan Shpuza, vëllezërit Bektashi si dhe kampionët e rekordmenët në fuqi Spartak Kovaçi e Vladimir Sokoli. Natyrisht që kanë qenë të rrallë në Shqipëri trajnerë të tillë si Kujtimi që stërviste me shumë sukses kaq shumë sportistë cilësorë. Me të rriturit ai qe një shok i mirë, me vajzat një prind i kujdesshëm ndërsa me të rinjtë një edukator shembullor. Megjithatë iku shpejt duke lënë një peng të madh prapa tek kolegët e tij, Syrrija, Hysnija, Rasimi, Askoja, Lleshi, Besimi, Vildani, Rroku, Isaku, Angjelina, Nexhi, Sebrija, Ardiani, Ahmeti, Nefaili, Pjeri, Tonini, Lahi, Enveri, Kola, Xhulio, Beni e Nafije.
Gëzim Mema

Ne foto, trajneret e ekipit te atletikes se Vllaznise ne vitin 1995