Deklaratat e ditëve të fundit të trajnerit Armando Cungu që flisnin për një divorc të mundshëm të tij me Vllazninë, natyrisht që nuk janë pritur mirë në opinionin sportive shkodran që ka një vlerësim maksimal për këtë trajner. Megjithatë frika e një largimit të mundshëm të tij duket se tashmë ka marrë fund. Pasditen e së martës, Cungu mësohet të ketë patur një takim me drejtuesit e lartë të klubit, përfshi këtu edhe kryebashkiaken Ademi me të cilën kanë diskutuar për problematikën që e shqetëson trajnerin dhe futbollistët. Nga sa merret vesh, kryebashkiakja i ka dhënë mbështetjen e plotë Cungut për vazhdimin e punës duke nisur piketimet për përforcimet e duhura në skuadër. Ky natyrisht që është një lajm i mirë megjithatë duhet parë sesi do të rrjedhin ngjarjet në ditët në vazhdim. Njeriu që ka drejtuar skuadrën në gjysmën e dytë të sezonit që sapo u mbyll, ka vënë disa kërkesa për vazhdimësinë, mbi të gjitha për sjelljen në skuadër të 4-5 lojtarëve cilësorë me të cilët ajo do të ishte më e fortë për sezonin e ri. Emri i parë që ka dalë në skenë është ai i malazezit Cetkoviç me të cilin kanë nisur edhe kontaktet e para dhe në ditët e ardhshme do të mësohet më shumë në lidhje me të. Nëse vjen Cetkoviç ky do të ishte një sinjal i mirë për ndërtimin e një ekipi ndryshe për sezonin e ri. Takimi i pasdites të së martës kësisoj mund të konsiderohet shumë pozitiv dhe ka rikthyer qetësinë në kampin shkodran.
www.shkodraport.com