Puna tek Vllaznia për sezonin e ri ka nisur. Ndonëse ende përfundimisht nuk kemi një “po” të trajnerit Armando Cungu, ai gjithsesi ka nisur të mendojë për të realizuar idetë e hedhura në letër sa i takon merkatos. Për këtë arsye, mësohet se pasditen e sotme ai do të jetë në Podgoricë për të ndjekur finalen e Kupës së Malit të Zi e cila do të luhet në orën 20.30. Për momentin ai nuk ka të piketuar asnjë futbollist nga ekipet e Buduçnostit dhe të Rudarit që kanë dalë në finalen e këtij kompeticioni por gjithsesi do të shohë ndeshjen dhe nëse ka ndonjë futbollist për repartet që Vllaznia ka nevojë, mund të vijojnë pastaj bisedimet për të parë mundësinë e veshjes kuqeblu. Ende nuk dihet nëse Cungu do të jetë i vetëm apo i shoqëruar nga pjestarë të stafit të tij apo drejtues të tjerë të klubit megjithatë e rëndësishme është që puna tek Vllaznia për gjetjen e lojtarëve cilësorë ka nisur. Gjatë orëve të qëndrimit në Mal të Zi, nuk përjashtohet mundësia që trajneri aktual i kuqebluve të ketë një tjetër takim me mesfushorin Marko Cetkoviç, me të cilin siç është bërë e ditur, ka patur edhe një takim të parë pasditen e së hënës në Shkodër. Por nëse atë ditë trajneri i ekipit shkodran nuk ka patur një ofertë për ish- mesfushorin e Laçit, në takimin që mund të organizohet sonte, gjërat do jenë më ndryshe. Kryebashkiakja Ademi i ka dhënë garancinë e plotë Cungut për të vijuar punën për gjetjen e lojtarëve cilësorë dhe për këtë arsye, ai ka filluar bisedimet e para me to.

© shkodrasport.com