Një nga emrat e nderuar të boksit shkodran dhe atij shqiptar është edhe Ramiz Rraboshta. Karriera e tij sportive është e gjatë fillimisht si sportist dhe më pas për vite me rradhë si gjyqtar i këtij sporti. Ai ka lindur në vitin 1936 ndërkohë që ka qenë viti 1953 kur Ramizi do të niste karrierën e tij në këtë sport shumë burrëror dhe rreshtohet tek ekipi i Vllaznisë. Në vitin 1954 do të konkurronte në garat e para me të rinjtë ndërsa në fund të po këtij viti do të kalonte me ekipin e të rriturve dhe për të vazhduar me të deri në vitin 1962 kur për një dëmtim në dorë u detyrua të lërë sportin e tij të dashur- boksin. Gjatë këtyre 8 viteve, ka dalë dy herë kampion me të rinjtë dhe disa herë nënkampion me të rriturit. Si suksesi më i madh në karrierën e tij veçohet fitimi i Kupës së Republikës dhe marrja e kupës si boksieri më i mirë i këtij aktiviteti në vitin 1955. Pa lënë mënjanë këtu pastaj edhe ndeshjen e madhe që ka mbetur ende edhe sot e kësaj dite në mendjen e tij dhe të gjithëve, ndeshja ndaj Pandi Dimos së Durrësit. Rraboshta ishte vetëm 18 vjeç dhe ndeshja zhvillohej brenda në Durrës megjithatë djaloshi shkodran arriti të fitonte ndaj boksierit që vetë ai e konsideronte një idhull në boks. Madje, fitoren ndaj tij e konsideronte një ëndërr por që në fakt u bë realitet falë përgatitjes së tij por edhe talentit që zotëronte ky djalosh. Pas ndërprerjes së karrierës sportive, Ramiz Rraboshta nuk mundi të merrej më me këtë sport ngaqë vetë ai u ndërpre nga pushteti në fuqi i asaj kohe. Por në vitet ’90 me rifillimin e tij do ishte sërish pranë tij në ring. Këtë rradhë si gjyqtar. Gjatë këtyre viteve është dalluar për gjykime korrekte dhe ka arritur suksesin më të madhe në kampionatin kombëtar për të rinj të rritur që u zhvillua në vitin 1997 kur u vlerësua si gjyqtari më i mirë i kampionatit. Rraboshta ka gjykuar edhe shumë ndeshje ndërkombëtare, saktësisht 112 të tilla. Një numër që duket tepër i madh por duhet të theksojmë se 87 prej tyre i ka arbitruar në kupën “Italia”, pra në çdo ndeshje të kësaj kupe të rëndësishme ai ka gjykuar, ose në ring ose si gjyqtar anësor. Madje në përfundim të kësaj kupe, atij i është dhënë edhe një kupë nga organizatorët duke u vlerësuar si gjyqtari më popullor i vlerësuar nga tifozët italianë. Ai ka qenë gjithmonë pranë boksit shkodran, madje me aq sa ka patur mundësi, e ka ndihmuar edhe materialisht atë. Në nivelin e tij të lartë si gjyqtar e ka ndihmuar edhe studimi i literaturës bullgare dhe jugosllave. Ramiz Rraboshta ka miqësi edhe me ish- boksierë botërorë si me italianin De Piccoli, një boksier i famshëm, kampion olimpik më 1966, me jugosllavin Miodrag Perunoviç, nënkampion bote etj. Ai vendosi t’i japë fund karrierës së arbitrimit në dhjetor të vitit 1997, në moshën 61 vjeçare, pikërisht kur në Shkodër zhvilloheshin finalet e Kupës së Shqipërisë në boks për të rritur dhe ndërsa Vllaznia shpallej fituese e saj, do të zhvillohej edhe një ceremoni tjetër: ajo e mbylljes së karrierës sportive për Ramiz Rraboshtën. Një ceremoni e thjeshtë por shumë kuptimplote që do të mbetet gjatë në kujtesën e tij. Natyrisht që një emër i tillë kërkon respekt dhe vlerësim sepse futet tek figurat e nderuara të boksit shkodran dhe atij shqiptar si sportist dhe si gjyqtar.
Gjergj KOLA