Pas tre humbjesh rradhazi duket se për Vllazninë ka ardhur koha të marrë pikë. Këtë bindje ka edhe trajneri i saj Luan Zmijani. Duke folur para mediave në konferencën e zakonshme për shtyp një ditë para sfidës së rradhës, ai ka shprehur besimin e plotë për këtë gjë duke thënë: “E kemi të qartë se do të jetë një ndeshje shumë e vështirë.

Edhe kundërshtari ndodhet në pozita jo komode në renditje sepse vetëm një pikë ka marrë deri tani por atë e favorizon fakti që pas katër muajsh rikthehet për të luajtur në fushën e vet, çka për ne është një kundërshtar më shumë. Megjithatë i kemi marrë masat edhe për këtë dhe besoj se paraqitja jonë do të jetë shumë e mirë në këtë ndeshje e për rrjedhojë nuk do të kthehemi duarbosh nga Vlora.Jam i bindur se pa pikë nuk dalim nga ky ballafaqim me Flamurtarin. Kemi disa probleme me ndërtimin e formacionit pasi siç dihet Arbri është i skualifikuar për shkak të kartonit të kuq që ka marrë në ndeshjen e kaluar, portieri Dragojeviç ka qenë në spital sot për shkak të një problemi që ka patur e po ashtu edhe Ahmeti po kalon një gjendje jo të mirë shëndetësore. Të tjerët janë të gjithë të gatshëm, përfshi këtu edhe Kdouh që u rikuperua në kohë rekord nga dëmtimi që pësoi në Pogradec”. Zmijani ka besim tek skuadra por e ka edhe një “frikë”, atë të arbitrimit. Për këtë arsye, gjen momentin të bëjë edhe një thirrje publike në adresë të tyre duke thënë: “Deri në ndeshjen me Partizanin gjithçka po shkonte në rregull. Aty diçka ndodhi e kjo u pasua edhe me një tjetër turp në Pogradec. Nuk e di pse e bëjnë arbitrat këtë gjë, nga paaftësia apo se u thotë dikush. Unë do t’u bëja një thirrje për ta lënë rehat Vllazninë se boll ka hallet e veta dhe jo më të merret edhe me ta sepse nuk është moralshme një gjë e tillë”. Për të fituar ndaj Flamurtarit natyrisht që do të tentohet për të shënuar dhe fakti që tashmë ka në dispozicion edhe Sosën e Martinez, është një plus më shumë. I pyetur nëse në këtë ndeshje Vllaznia do të luajë me dy sulmues të mirëfilltë nga minuta e parë, sërish e lë disi mënjanë këtë pyetje duke iu përgjigjur: “Vërtetë kanë nisur të luajë por nuk janë ende në formën e tyre më të mirë. Megjithatë, në ndeshjet jashtë është e vështirë të luash me dy sulmues por gjithsesi do të përcaktojmë para ndeshjes mënyrën si do të luajmë për të kërkuar rezultatin e duhur”.

© shkodrasport.com