Dy sezonet e fundit kanë qenë vërtetë mbresëlënëse për ekipin e basketbollit të Vllaznisë. Dy tituj kampion dhe dy Kupa të Republikës të fituara dhe më shumë sesa kaq, atmosferë e shkëlqyer sportive në pallatin e stërmbushur të sportit “Qazim Dervishi”. Me këto suksese shumëkush mendoi se kjo ecuri do vazhdonte por në fakt jo. Tek ekipi kanë filluar të shfaqen problemet financiare. Disa nga sponsorët e kësaj skuadre kanë vendosur të mos hedhin më lekë nisur edhe nga disa mosmarrëveshje që kanë patur me drejtuesit e klubit shumësportësh Vllaznia në lidhje me vendosjen e reklamave në pallatin e sportit etj. Në një situatë të tillë, lojtarët e huaj që ishin pjesë e skuadrës sezonin e kaluar nuk kanë ardhur më.


Llazani ka vendosur të mos rinovojë kontratën e po ashtu, Arra ka patur disa probleme personale që e lënë atë larg skuadrës për njëfarë periudhe. “Pa këta pesë basketbollistë kuptohet që gjërat bëhen shumë të vështira për ne. Me keqardhje e them por sezonin e ri nuk do ta nisim si pretendentë ndryshe nga dy sezonet e tjera. Kemi vështirësitë tona dhe do të mundohemi që me bërthamën tonë, të bëjmë më të mirën në kampionat dhe në kupë. Kemi probleme në pozicionet 1 dhe 3 por do të mundohemi të adoptojmë lojtarë të tjerë dhe të bëjmë më të mirën e mundshme të paktën deri në janar. Në atë periudhë pastaj, duke shpresuar në gjetjen e ndonjë donatori të marrim edhe ndonjë lojtari dhe të jemi konkurrues për titull por siç e thashë, sivjet gjërat nuk i shoh dhe aq mirë”- ka thënë trajneri Gjeçaj. Një situatë aspak normale në fakt. Dështimi në marrjen pjesë në Ligën Ballkanike për arsye financiare, largimi i disa basketbollistëve cilësorë, tregojnë se gjërat nuk janë si më parë. Dhe ajo që të vjen keq më shumë se për çdo gjë tjetër, pallati i sportit “Qazim Dervishi” nuk do jetë më i mbushur me sportdashës.
Gjergj KOLA