Skuadra shkodrane do të zhvillojë edhe një seancë të fundit nesër paradite në orën 09.00 dhe do t’i japë fund përgatitjeve për sfidën e së dielës me Flamurtarin. Që pas kthimit nga Pogradeci mesnatën e së dielës, kuqeblutë kanë lënë pas edhe problemet me gjykimin që kanë patur në dy takimet e fundit dhe kanë filluar të mendojnë për ndeshjen e rradhës e cila konsiderohet shumë e vështirë. Sikur të mos mjaftonte kjo, takimi do të luhet në Vlorë dhe ky është një minus tjetër megjithatë futbollistët dhe stafi i Vllaznisë janë duke marrë masat për ta përballuar me sukses këtë kundërshtar.

Shqetësim kanë qenë dëmtimet e disa futbollistëve teksa Kdouh, Ahmeti, Bardulla e ndonjë tjetër nuk kanë qenë në gjendjen e tyre më të mirë shëndetësore në këtë pragndeshje si rrjedhojë e ndonjë viroze gripale që po kalojnë por edhe të ndonjë dëmtimi. Atyre u shtohet edhe pezullimi i Arbrit i cili nuk do të jetë i gatshëm për sfidën e së dielës ndaj ish- skuadrës së tij për shkak të kartonit të kuq të marrë në sfidën me Partizanin. Trajneri Zmijani megjithatë do të mundohet të ndërtojë formacionin e duhur për ta kaluar me sukses këtë sfidë dhe nuk përjashtohet mundësia që ai të luajë këtë herë me dy sulmues të mirëfilltë. Në Shkodër presioni ndaj skuadrës është shtuar pas tre humbjeve që ka pësuar në tre takimet e para dhe patjetër që në Vlorë duhet marrë një rezultat pozitiv megjithatë duhet pritur deri në mbrëmjen e së dielës për të parë se çfarë do të ndodhë.

© shkodrasport.com