Kombëtarja U-17 ka dhuruar një paraqitje spektakolare në “Loro Boriçi”, duke mposhtur 5-1 Malin e Zi U-17 në ndeshjen e dytë miqësore mes dy skuadrave. Pas barazimit 2-2 në sfidën e parë, kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Armand Dama zhvilluan një ndeshje të shkëlqyer dhe realizuan plot pesë gola.
Trajneri Armand Dama e nisi ndeshjen me këtë formacion titullar: Në portë ka qenë shkodrani Rei Shpuza për të vazhduar me Aend Cekrezi, Drion Ibrahimi, Rian Nezaj, Jon Ajvazi (C), Sebastian Sina, Eldin Veliu, Lorent Zhara, Klevis Basha, Rajan Dybeli, Gentian Sharka.
Shqipëria e nisi takimin me ritëm dhe arriti të zhbllokojë rezultatin në minutën e 21-të. Ishte Gentian Sharka ai që dërgoi topin në rrjetë, duke i dhënë avantazhin kuqezinjve.
Në pjesën e dytë, Shqipëria ishte e papërmbajtshme dhe e thelloi menjëherë avantazhin. Në minutën e 48-të, Jon Ajvazi shënoi golin e dytë, ndërsa vetëm pesë minuta më vonë, Sebastian Sina realizoi për 3-0.
Kuqezinjtë vijuan dominimin dhe gjetën edhe dy gola të tjerë. Albion Muji shënoi në minutën e 77-të, ndërsa Haxhi Rrena vulosi rezultatin 5-0 në minutën e 86-të.
Mali i Zi arriti të shënojë golin e nderit në minutën e 87-të me Matija Sutje, por pa ndryshuar asgjë në triumfin e thellë të Shqipërisë. Një paraqitje bindëse dhe një fitore 5-1 për Shqipërinë U-17, që mbyll me një rezultat të rëndësishëm serinë e dy miqësoreve ndaj Malit të Zi.


