Shkruar nga Gjergj KOLA
Këtë fundjavë do të nisë kampionati kombëtar i basketbollit për femrave dhe Vllaznia është gati për startin e tij teksa ka bërë publike edhe listën e lojtareve që do të jenë pjesë e saj në sezonin e ri.
Ajo që të bën përshtypje është prania në këtë listë edhe e një lojtareje amerikane që i është bashkuar së fundi skuadrës shkodrane. Bëhet fjalë për Jessica Rios. e cila luan në pozicionet 2 dhe 3.
“Jessica ndodhet për disa arsye personale në Shqipëri dhe ofertës tonë për të luajtur me Vllazninë iu përgjigj pozitivisht. Besoj se jemi me fat që do ta kemi në skuadrën tonë sepse mendoj që do të na ndihmojë jo pak”- është shprehur trajnerja Medina Mustafa.
Vllaznia ndeshjen e parë të kampionatit do ta luajë ditën e premte në ora 16:00 dhe përballë saj në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” do të jetë ekipi i Partizanit. Një sfidë e fortë që njëkohësisht do të tregojë edhe gjendjen reale të ekipit shkodran në këtë start të kampionatit.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


