Në deklaratën e fundit të dhënë nga ministrja e Shëndetësisë, sporti konsiderohet ende si kategoria me riskun më të lartë. Ministrja Ogerta Manastirliu deklaroi se është herët për t’ua dhënë dritën jeshile aktiviteteve sportive edhe me distancim fizik siç kërkohet momentalisht, e jo më për ndeshje zyrtare.

Mirëpo, ky arsyetim në të vërtetë nuk gjen baza praktike kur shihet se nga dita në ditë një gamë shumë e gjerë biznesesh edhe me kontakt të afërt fizik janë hapur apo edhe kur në rrugë sheh shumë më shumë trafik makinash, thuajse në normalitet. Në përgjigje të deklaratës së dhënë së fundmi nga ministrja ekskluzivisht për “Panorama Sport”, sekretari i përgjithshëm i FSHF-ës, Ilir Shulku, arsyeton pse sporti nuk mund të konsiderohet ndër kategoritë me rrezikun më të lartë.

“Specialistët më të mirë nëpër botë arsyetojnë se të futen 20 sportistë, me distancë fizike vetëm për t’u stërvitur në një fushë disa mijë metra katrorë, nuk janë kategoria më e rrezikuar”, shprehet ndër të tjera Shulku për gazetën. Ai ka edhe një përgjigje mbi lajmin ekskluziv të “Panorama Sport” lidhur me vendimin e Bashkisë Kamzë për të shembur stadiumin.

Zoti Shulku, ministrja e Shëndetësisë deklaroi se sporti është kategori me risk shumë të lartë dhe nuk mund të hapet tani shpejt…

Kjo është një lloj diskordance mes asaj që po dëgjojmë në media nga vetë autoritetet. Disa specialistë thonë se nuk ka asgjë të keqe që të ketë stërvitje në mënyrë të kontrolluar dhe me disa masa shtrënguese. Dhe bëhet fjalë për të dalë një ekip futbolli, po e marrim shembull, në një fushë me 10 mijë metra katrorë. Pyetja që ne bëjmë, është? A nuk mjafton kjo hapësirë?

Ministrja u shpreh se ky është vendim i komitetit të ekspertëve që e konsiderojnë ende jo kohën e duhur për të rinisur sporti…

Se cili është ky grup ekspertësh që thotë “jo”, sipas fjalës së ministres, ne nuk e dimë akoma. Nuk i njohim. Ama, nga specialistët më të mirë të kësaj fushe nëpër botë, dëgjojmë të faktuar me studimet e tyre që nuk konsiderohet risk kaq i lartë dhe na është thënë që futbolli të mund të rikthehet në fushë.

Edhe për dy javë nuk do të ketë hapje, çfarë ndodh me planet e FSHF-së?

Shikoni, ministrja vërtet thotë se për dy javë nuk ka një përgjigje dhe se pas dy javësh edhe mund të hapet. Mirëpo, futbolli nuk është një dyqan. Nëse çdo dyqani mund t’i thuhet se nesër ke leje për t’u hapur dhe mund të ngresh qepenin, ne po flasim për një komunitet të tërë. Nuk mund të thuhet sot që të hapemi nesër. Futbolli ka specifika të tjera dhe nuk bëhet fjalë për një komunitet të vogël. Përkundrazi, një komunitet i madh që jeton vetëm me këtë veprimtari. Ndaj kërkohet një kohë e caktuar që të rikthehemi. Bëhet fjalë për humbje kolosale, pothuajse si të gjithë sektorët e tjerë.


Është thënë që sporti apo futbolli do të jenë në fazën e fundit të rihapjes së veprimtarive…

Pikërisht, çdo gjë ka nisur të lehtësohet. Me çfarë kemi parë të hapet, nuk mendoj dhe kam besim që askush se mendon në të vërtetë që futbolli me masat që ne propozojmë, të jetë kategoria me riskun më të lartë të rrezikut. Kërkojmë që për një kohë të caktuar vetëm të bëhen stërvitje, me kushte, distanca fizike e shumë të tjera. Ama, po shohim çdo ditë e më shumë njerëz që bëjnë stërvitje edhe në këtë periudhë.

Po, ka futbollistë që kanë dalë edhe nëpër kodrina, fusha të caktuara, me biçikleta etj…

Jo vetëm. Shohim njerëz të luajnë basketboll në terrene lagjesh. Njerëzit po luajnë nëpër kalçeto në lagje, pesë me pesë. Pra, me kontakt fizik shumë të afërt, ndërsa ne kërkojmë stërvitje pa kontakte fizike në një fushë të madhe 10 mijë metra katrorë.

Ndër të tjera ajo mori për bazë edhe Francën, e cila ka pezulluar futbollin dhe i shpalli verdiktet. Keni një përgjigje?

Ministrja mori për bazë Francën, ama ka shumë e shumë shtete të Europës që nuk e kanë pezulluar. Përkundrazi, janë duke diskutuar vazhdimisht me qeveritë për të gjetur gjuhën e përbashkët për të nisur stërvitjen e më pas edhe kampionatin. Sigurisht, kjo të bëhet nëpërmjet disa kushteve të paracaktuara, sikurse është edhe propozimi që ne i kemi dërguar qeverisë.

Çfarë i kërkoni qeverisë, edhe me anë të asaj letre?

Që të ulemi dhe të diskutojmë. Deri më tani, qeveria nuk ka bërë asnjë komunikim me ne. Me anë të një protokolli, ne kemi detajuar se çfarë do duhet të bëhet për të zhvilluar një ndeshje futbolli.

Përmenden edhe testet, cili do ta mbajë peshën ekonomike të tyre?

Duhet të diskutojmë me qeverinë. Pikërisht prandaj e kërkojmë një mënyrë diskutimi, pasi aty dalin edhe detyrat dhe përgjegjësitë e secilit për vazhdimësinë.

“Panorama Sport” ka raportuar një vendim të Bashkisë Kamzë për prishjen e stadiumit. A keni marrë njoftim për këtë dhe çfarë do të bëjë FSHF?

Jo, zyrtarisht nuk kemi marrë asnjë njoftim akoma. Po e ndjekim situatën, që pas publikimit të këtij lajmi që ju cituat në median tuaj dhe po kërkojmë një vërtetësi me rrugë zyrtare. Po e ndjekim më vëmendje dhe do të shikojmë ecurinë. Në rast vërtetësie të tillë zyrtare, pa diskutim që ne do të rimarrim hapat tanë dhe veprimet tona në rrugë zyrtare.