Dyshimet nëse do të fillojë apo jo kampionati, ka bërë që ditët e fundit të dalë në skenë edhe një ide për një ndryshim të skemës së kampionatit të ardhshëm të Kategorisë Superiore.

Këtë ide e ka mbështetur edhe komentatori i mirënjohur sportiv Kosta Grillo. Gjatë një prononcimi në emisionin “Sport Arena” në televizionit Rozafa, ai ka bërë prezent këtë gjë teksa ka thënë:

“Unë jam nga ata njerëz që jetoj me futbollin, siç jetojnë edhe shumë të tjerë, megjithatë këndvështrimi im në këtë
situatë është ndryshe. Për mua, më mirë do të ishte që kampionati të stopohej këtu, të mos bjerë asnjë skuadër nga
Superliga.

Po ashtu të ngjiten dy ose katër skuadra dhe kampionati i ardhshëm të bëhet me 12 ose 14 skuadra sepse duhet ta
pranojmë se kampionati ynë ka nevojë për skuadrat e disa qyteteve të mëdha të cilët vetëm futbollin kanë dhe me të
jetojnë, prandaj pse të mos jene edhe ato pjesë e tij.

Pra të gjendet një formulë tjetër për kampionatin e ardhshëm dhe ai të fillojë më shpejt dhe mendoj se ka për të qenë
më interesant. Do të ishte më mirë të ndodhte kështu sepse për të vazhduar kampionatin aktual, do të duhej të
sakrificë e madhe, do të duhej shumë kohë ngaqë ende nuk dihet kur do të nisin stërvitjen ekipet, do ketë karantinë
për të huajt apo jo dhe po ashtu, ka dilemë se kur do të fillojë kampionati.Duke qenë kështu “në ajër”, më mirë do të ishte që gjithçka të stopohej këtu”.