Tjetër humbje për Shirokën dhe ajo vijon të mbetet në vendin e fundit të tabelës së klasifikimit edhe pas javës së 8-të të tij me vetëm 3 pikë të grumbulluara. Pasditen e sotme ekipi shkodran është mundur brenda në “Reshit Rusi” nga Tërbuni i Pukës me rezultatin 5-2.
Takimi ka nisur shumë keq për Shirokën e cila u ndëshkua me gol që në minutën e 2-të kur Torollari e dërgoi topin në rrjetë. Por vuajtjet për vendasit do të shtoheshin edhe më shumë sepse portieri Lujkaj do të ndëshkohej me karton të kuq në minutën e 15-të duke e lënë skuadrën e tij me një futbollist më pak.
Si rrjedhojë do ta kishin shumë të vështirë për të reaguar ndaj pukjanëve që shënuan edhe 4 gola të tjerë, ndërkohë që shkodranët shënuan vetëm 2 gola me autorë Kaçajn dhe Dougoure.
Përfundimisht 5-2 për Tërbunin që me këtë fitore ngjitet në kuotën e 11 pikëve dhe mban vendin e gjashtë në renditje, ndërkohë që Shiroka është në vendin e 12-të me vetëm 3 pikë.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


