Shkruar nga Maringlen ZHIVANI
Kevin Dodaj po kalon një sezon të shkëlqyer me fanellën e Leçia Gdansk në kategorinë e dytë të futbollit polak, duke u kthyer në një prej protagonistëve kryesorë të skuadrës. Sulmuesi shkodran po shfaq vazhdimisht formë të mirë, ndërsa golat e tij po rezultojnë vendimtarë për objektivat e ekipit.
Një tjetër konfirmim i kësaj ka ardhur edhe ditën e sotme, në përballjen në shtëpi ndaj Odra Opole, ku Dodaj ka qenë heroi i Leçia Gdansk. Madje, mënyra se si ka realizuar golin e fitores ka qenë spektakolare. Kur ndeshja ishte në shifrat 1-1 dhe sapo kishte nisur koha shtesë, pas një goditjeje nga këndi,
Kevin Dodaj ka goditur fluturimthi, duke dërguar topin në rrjetë dhe duke shkaktuar festë në stadium. Një realizim i jashtëzakonshëm, që vulosi fitoren 2-1 për skuadrën e tij.
Ky ishte goli i pestë sezonal për sulmuesin shqiptar me Leçia Gdansk, një gol me peshë të veçantë, që i dhuroi tri pikë të rëndësishme skuadrës. Me këtë sukses, Leçia Gdansk vazhdon të qëndrojë në vendin e tretë të renditjes, vetëm një pikë larg kreut që mbahet nga Polonia Varshava, duke mbetur plotësisht në garën për objektivin madhor të sezonit.


