Në Angli, mjekët janë të bindur se mbrojtësi Reece James, anësori i Chelsea, duhet të kërkojë një klub të ri për të rifilluar karrierën e tij në mënyrën më të mirë të mundshme. Ai duhet të largohet jo vetëm nga Chelsean, klubi ku u rrit, por edhe nga Anglia.

Anglezi ka kohë që është i persekutuar nga një seri dëmtimesh që nuk e lejojnë të vazhdojë sa më mirë rrugën e rritjes. Ndaj, duke parë gjithë këto probleme fizike, fizioterapistët e këshillojnë të jetojë në një qytet me klimë të ngrohtë, ndoshta në Europën Jugore, për të kapërcyer gjithçka.

James nuk ka luajtur për Chelsea që nga maji i këtij viti. Sipas portalit “Give me sport”, James është fokusuar totalisht në mundësinë e rikthimit në stërvitje me blutë dhe për momentin nuk po e shqyrton idenë e një lamtumire.

Megjithatë, në “Stamford Bridge” po e marrin në konsideratë këtë mundësi, pra largimin e tij, duke qenë se do të ishte një ulje e ndjeshme e kostove të pagave. Transferimi i 24-vjeçarit mund të ndodhë që në janarin e ardhshëm./telesport/