Duke pasur frymëzim për traditat e shkëlqyera të arsimit shqiptar por njëkohësisht edhe të futbollit shqiptar, në këtë nostalgji, i prekur nga vitet hyjnore dhe rinore, në lagjen time të lindjes, Kiras, do shpreh një të vërtetë historike për zhvillimin e arsimit në përgjithësi por edhe atë të Shkodrës, qytetit tim në veçanti.

Vërtetë Shkodra është simbol i kulturës dhe i rilindësve te mëdhenj Pashko Vasë Shkodrani, Filip Shiroka, Gjergj Fishta, sëbashku me mësueset e popullit Luigj Gurakuqi, Migjeni, Shaban Arra etj., etj., deri në ditët tona, na detyron të themi se mësuesit e popullit janë rrezatim dhe frymëzim i vazhdueshëm për qytetin tim dhe për të gjithë kombin shqiptar.

Unë shpesh në 7 mars vendos lule tek busti i mësuesit të popullit Luigj Gurakuqi, tek busti i Migjenit dhe tek shumë të tjerë…

Por sot, unë kam ndër mend të vendos një buqetë kujtimesh për figurën e mësuesit të thjeshtë shkodran, duke përcaktuar vlerat e tij edhe në lagjen historike të qytetit të Shkodrës që quhet “Dudas”.

Kjo lagje 500 vjeçare ka një rrugicë në qendër të lagjes, që quhet rrugica “Balaj”, qëkur i numëron dyert e vogla të saj nuk janë më shumë se 8 por aty që nga viti 1936 kanë dalë 24 mësues shumë të njohur për Shkodrën dhe për Shqipërinë si Jonuz Bala, Eljaz Kraja, Isa Hoti, Xhevat Kraja etj.

Kjo rrugicë më ka frymëzuar për të bërë edhe një montazh televiziv me një skenar të thjeshtë duke theksuar se mund të jetë rrugica kampion në numrin e mësuesve duke ja kaluar të gjithë qyteteve të Shqipërisë edhe të Elbasanit dhe të Gjirokastrës.

Edhe unë ruaj kujtime në këtë rrugicë sepse në vitet 1958 – 1959 shkoja shpesh tek shtëpitë e mësuesve kur aso kohe unë isha nxënës në 7 vjeçare.

Për këto 24 mësues kanë shkruar edhe shumë të tjerë, në veçanti për mësuesin e paharruar të gjuhës Eljaz Kraja. Për këta mësues është detyrim i yni që të dalin më në pah vlerat e tyre të punës edukative mësimore që kanë bërë për dekada të tëra.

Por ky frymëzim për mësuesin më bëri që të ndalem në një fakt real por që është një e vërtetë e madhe ku në një shtëpi të fisit “Quku” të lagjes Fahri Ramadani të Shkodrës kanë dalë 25 mësues të profileve të ndryshme, në veçanti të matematikës.

Këto mësues si Gani Quku, Refik Quku, Ali Quku, Oso Quku etj., etj., janë bërë të njohur në të gjithë vendin tonë për kontributin e tyre modest në fushën e arsimit. Kështu Oso Quku në vitet 1951 – 1952 ka pasur nxënës në klasë të parë Sali Berishën në shkollën fillore Viçidol, Tropojë. Ai ruante kujtime shumë të mira për rrethin e Tropojës.

Në lagjen Kiras ku historiku i futbollit është i lidhur në mënyrë të pazgjidhshme me futbollistët e mëdhenj të kombëtares shqiptare të vitit 1946, ku 5 prej tyre janë kirasjanë, më bëri mua që të fiksoj një fakt të rrallë për futbollin shqiptar dhe botëror, ku në një rrugicë me 7 dyer kanë dalë 7 lojtarë të Vllaznisë, ku 5 prej tyre kanë qenë dhe të kombëtares, dhe këta janë: Ahmet Nuti (Shpuza), Xhevdet Basha, Ismet Hoxha, Zyhdi Basha, Luan Shpuza, Lutfi Basha dhe Çlirim Basha.

Në fakt për momentin e parë duket si e pabesueshme, por kjo është një e vërtetë për të cilën Kirasi historik është krenuar për talentet e futbollit që ka nxjerrë. Më krijoi frymëzim edhe ngjarja e futbollistit të mirënjohur tani, egjiptianit Muhammad Salam, ku ai thotë që në lagje ku ka fusha futbolli rriten talentet.

Kështu ka qenë edhe në fshatin tim shprehet ai… Dhe unë në Tëitter të tij e kam përshëndetur mendimin e tij dhe humanizmin e madh që po tregon për vendlindjen e tij (fshatin e tij).

Dhe vërtetë në lagjen Kiras, pranë liqenit, për 100 vite kanë luajtur në fushat e blerta të futbollit që natyra ja dhuroi kësaj lagjeje, ku trajneri popullor i lagjes Hasan Rama për 50 vite nxori breza futbollistësh kirasjanë që mbrojtën edhe ngjyrën e kombëtares shqiptare.

Një gazetar i njohur më tha: – “Profesor! Rrugica me 5 lojtarë të kombëtares është një mrekulli, është si të themi për një çmim “Guinness”, që këtë propozim duhet ta bëjë Federata Shqiptare e Futbollit, duke i afruar një historik të plotë të futbollit në Shkodër dhe në veçanti në lagjen Kiras.

Këto tre mrekulli që shpreha janë prezantuar në mënyrë modeste edhe në televizionet lokale me përpjekjen e gazetares së njohur Kozeta Bruçaj, e cila është përpjekur të pasqyrojë këto tre mrekulli për t’i afruar një historik real por edhe një mrekulli për Shkodrën si djepi i arsimit dhe i sporteve.

Dëshira ime është që qeveria shqiptare duhet të rivlerësojë edhe një herë shkollat profesionale sportive, në veçanti atë të futbollit për të hapur një shkollë të mesme këtu në Shkodër e aq më mirë në lagjen Kiras, ku ndërtesa shumë e madhe e ish shkollës veterinare mund të bëhet shumë mirë një shkollë e mesme sportive e futbollit.

Ky do ishte edhe një realizim i dëshirave dhe ëndrrave të futbollistëve të mëdhenj kirasjanë të kombëtares shqiptare të vitit 1946 si Xhevdet Shaqiri, Bimo Fatja, Ahmet Nuti, Daut Shkreli, Bari Kavaja etj., të cilët gjithë jetën e tyre e lidhën me futbollin.

Kur unë sot shkruaj me kujdes të madh për ecurinë e futbollit në qytetin tim kam të drejtë të them se edhe në këtë lagje mund të lindin lojtarë të mëdhenj dhe të talentuar që do t’i japin jehonë të re futbollit shqiptar.

Pra këto ishin tre mrekullitë që ndodhin në Shkodër dhe që përbëjnë një vazhdë të traditës shqiptare në fushën e arsimit dhe të sportit.

Ky shkrim i kushtohet të gjithë sportistëve kirasjanë që dhanë për sportin shqiptar.
Muamer VUCI