Shkruar nga Endri ÇiNARI
Merkatoja verore e Vllaznisë vijon të mbetet në qendër të vëmendjes së tifozëve kuqeblu, të cilët presin që skuadra të kompletohet me emra të rëndësishëm përpara nisjes së kampionatit. Deri tani lëvizjet e realizuara nuk kanë mjaftuar për të bindur plotësisht opinionin sportiv, ndërsa pritshmëritë mbeten të larta pas eliminimit të hershëm nga Conference League.
Megjithatë, një vëzhgim i bërë tregon se Vllaznia ka krijuar tashmë një “traditë” në merkatot e fundit, duke i rezervuar goditjet më të bujshme për javët e fundit të afatit kalimtar.
Kështu ndodhi në verën e vitit 2021, kur në muajin korrik kuqeblutë siguruan firmën e Liridon Latifit, një prej emrave më të spikatur të futbollit shqiptar në atë periudhë. Një vit më vonë, në gushtin e 2022-shit, drejt Shkodrës mbërriti Esat Mala, një tjetër afrim që u konsiderua një goditje e rëndësishme për mesfushën.
I njëjti skenar u përsërit edhe verën e kaluar. Pikërisht në limitet e merkatos së gushtit 2025, Vllaznia finalizoi afrimin e Shefik Kallakut dhe Lirim Kastratit, dy futbollistë që u pritën me entuziazëm nga tifozët dhe që rritën ndjeshëm cilësinë e organikës.
Ky precedent bën që edhe këtë verë të mos mungojë optimizmi. Edhe pse merkatoja nuk ka dhuruar ende “goditjen” që presin shkodranët, historia e viteve të fundit tregon se drejtuesit kuqeblu shpesh kanë vepruar në fazën përmbyllëse të saj, duke shfrytëzuar mundësitë që krijohen në ditët e fundit.
Për këtë arsye, pritja vazhdon. Tifozët shpresojnë që edhe merkatoja e verës 2026 të ndjekë të njëjtin skenar, me Vllazninë që të rezervojë surprizat më të mëdha për fundin dhe t’i dhurojë skuadrës emrat që mund ta bëjnë realisht më konkurruese në sezonin e ri.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


