Friday, July 24, 2026
FAQJA E PARE KRYESOREALMANAK/ Mbushen 30 vjet prej ndarjes nga jeta të ish- futbollistit të...

ALMANAK/ Mbushen 30 vjet prej ndarjes nga jeta të ish- futbollistit të Vllaznisë, Agron Gjyrezi

Shkruar nga Gjergj KOLA

Në historinë e futbollit shkodran ka pasur shumë emra që kanë lënë gjurmë. Natyrisht, disa më shumë e disa më pak, por secili ka dhënë kontributin e tij në sukseset e këtij sporti. Ne do të ndalemi te një emër që ishte pjesë e kësaj historie, ndonëse jo për shumë vite: Agron Gjyrezi. Këto ditë mbushen plot 30 vjet nga ndarja e tij nga jeta dhe kjo është një arsye më shumë për ta kujtuar dhe për ta rikthyer në vëmendjen e sportdashësve shkodranë.

Ai lindi më 20 mars 1965 në Shkodër dhe u rrit në një nga lagjet më të vjetra dhe më sportdashëse të qytetit, në lagjen Rus, e cila ka nxjerrë nga gjiri i saj shumë talente, jo vetëm në futboll, por edhe në sporte të tjera. Agron Gjyrezi ishte një njeri me vlera të larta njerëzore, i cili, për fat të keq, u nda nga jeta në një moshë shumë të re.

Ai u rrit dhe u edukua në një nga familjet më të njohura dhe me traditë të Shkodrës, familjen Gjyrezi. Në moshën 13-14-vjeçare filloi aktivitetin sportiv dhe u aktivizua rregullisht me ekipet e të rinjve të Vllaznisë. Përzgjedhja e tij u bë nga trajneri i mirënjohur Ramazan Rragami.

Në vitin 1980 filloi Shkollën e Mjeshtërisë Sportive të Futbollit në Tiranë. Gjatë katër viteve të studimit u dallua për lojën korrekte dhe disiplinën sportive, duke luajtur si mbrojtës qendre dhe mbrojtës krahu. Në vitin 1984 nisi studimet në ILKF “Vojo Kushi” dhe, me ekipin e Studentit, u rendit në vendin e tretë në Kampionatin e Shpresave. Gjatë kësaj periudhe u grumbullua disa herë edhe me kombëtaren e kësaj grupmoshe.

Pas përfundimit të studimeve të larta u emërua mësues në Shkodër dhe njëkohësisht nisi të aktivizohej me Vllazninë. Megjithatë, konkurrenca shumë e fortë e atyre viteve bëri që ai të mos kishte hapësirat e dëshiruara në ekip. Për më tepër, pësoi një dëmtim të rëndë, i cili e detyroi ta mbyllte para kohe karrierën si futbollist. Megjithatë, ai nuk u largua nga futbolli.

Në vitin 1989 u emërua trajner i Veleçikut të Koplikut, duke pasuar në këtë detyrë të mirënjohurin Sabah Bizi. Me punën dhe profesionalizmin e tij, Agroni arriti ta kthente këtë skuadër në një pretendente serioze për ngjitjen në Kategorinë e Parë. Ai gëzonte respektin e të gjithëve.

Në drejtimin e skuadrës koplikase qëndroi për tre sezone. Më pas u largua nga futbolli për të nisur një karrierë të re, atë në radhët e Policisë së Shtetit. Në vitin 1994 u emërua shef i komisariatit të policisë, fillimisht në Delvinë dhe më pas në Pogradec, ku ra në krye të detyrës më 15 korrik 1996.

Agron Gjyrezi është shpallur “Dëshmor i Atdheut”, është dekoruar me medaljen “Shqiponja e Artë” me dekret të Presidentit të Republikës, si dhe është nderuar me titullin “Qytetar Nderi” nga Këshilli Bashkiak i Shkodrës në vitin 1998.

Kuptohet që ai kujtohet edhe për sakrificën e bërë në krye të detyrës, por për sportdashësit shkodranë Agron Gjyrezi do të mbetet gjithmonë futbollisti i Vllaznisë, ndërsa për sportdashësit e Koplikut, trajneri që i dha Veleçikut besimin për të synuar ngjitjen mes më të mirëve të futbollit shqiptar.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments