Portieri Aron Jukaj ishte një nga më të mirët në ndeshjen e fundit ndaj Tiranës dhe sot ndërkohë ai ka qenë para gazetarëve në konferencë për shtyp para ndeshjes me Vorën.
“Fitorja ndaj Tiranës ishte shumë e rëndësishme për ne sepse erdhi në momentin e duhur, por ajo nuk mjafton sepse tashmë duhet të shohim përpara sepse ndeshjet janë një pas një dhe duhet të fokusohemi tek sfida e rradhës. Këtë javë kemi dy ndeshje në transfertë, fillimisht ndaj Vorës dhe më pas me Skënderbeun, por e kemi mendjen vetëm tek ndeshja me Vorën”- është shprehur Jukaj.
Duke folur për takimin e nesërme, lojtari me numrin 1 të kuqebluve shprehet:
“Trajneri i ri ka futur një frymë positive në skuadër dhe këtë po e tregojmë edhe në ndeshjet e fundit. Ndaj Vorës ne do të shkojmë për fitore, jemi të fokusuar maksimalisht tek kjo ndeshje. Kundërshtari i nesërm ka një ekip me djem të rinj dhe që luajnë pa presion, por ndaj nesh besoj se do ta kenë të vështirë”.
Jukaj duket më entuziast në këtë periudhë dhe duket se gjithçka ka të bëjë me ndryshimin e trajnerëve e këtë gjë e pohon edhe ai vetë kur shprehet: “Jam shumë i kënaqur për besimin që po më jep trajneri. Ndoshta sezonin e kaluar nuk pata besimin e plotë nga stafi i kaluar, por trajneri i ri ka futur një frymë të re në skuadër, gjë që na ka munguar pak, por tani jemi më mirë dhe jam shumë i kënaqur. Tani ndjehem shumë më i motivuar dhe nuk kam se çfarë të shtoj. Çfarë ka kaluar, ka kaluar tashmë dhe unë po shoh përpara. Trajneri i ri më lë në terezinë time dhe kjo më bën të ndihem shumë mirë dhe të punoj shumë i motivuar”.
Të plotë prononcimin e portierit Aron Jukaj mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm:


