Friday, July 24, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREVllaznia thuajse e dubluar, por priten përforcime të tjera

Vllaznia thuajse e dubluar, por priten përforcime të tjera

Shkruar nga Endri ÇINARI

Vllaznia po i afrohet nisjes së sezonit të ri me një skuadër që, të paktën në letër, duket se ka arritur të dublojë pothuajse çdo repart. Trajneri Edi Martini tashmë ka në dispozicion një grup më të plotë futbollistësh, duke i krijuar mundësinë të ndërtojë dy formacione konkurruese. Megjithatë, pavarësisht këtij fakti, te kuqeblutë ekziston bindja se merkatoja verore nuk ka përfunduar ende, pasi skuadra ka nevojë për disa profile të rëndësishme që do ta rrisnin ndjeshëm cilësinë dhe konkurrencën në ekip.

Nëse sezoni do të niste sot, një formacion i mundshëm i Vllaznisë do të kishte Jukajn në portë. Në repartin e mbrojtjes pritet të mbështetet te eksperienca e Gurishtës, së bashku me Dumfur dhe Çelikoviç në qendër. Në krahun e djathtë të mesfushës shihet si favorit Patrik Bardhi, ndërsa në të majtë Musta, me rikthimin e Lirim Kastratit që pritet të shtojë alternativat sapo të lërë pas dëmtimin. Në qendër të mesfushës, Qato, Dros dhe Kobiljar formojnë një repart që garanton ekuilibër, ndërsa në sulm momentalisht Perez dhe kapiteni Bekim Balaj shihen si zgjedhjet e para të stafit teknik.

Edhe formacioni i dytë paraqitet interesant dhe përbëhet kryesisht nga futbollistë të rinj, të cilët pritet të kenë hapësira gjatë sezonit. Bunjaj është alternativa në portë, ndërsa para tij rreshtohen Latifi dhe Pusi në qendër të mbrojtjes. Në krahun e djathtë të prapavijës aktivizohet Brajkoviç, ndërsa në të majtë Avdyli. Mesfusha përbëhet nga Tafili, Herald Marku dhe Murataj, ndërsa në repartin ofensiv Ara vepron në të djathtë, Uldedaj në të majtë dhe Kubazi në qendër të sulmit.

Ky konfigurim tregon se Vllaznia ka arritur të krijojë konkurrencë në pothuajse çdo pozicion, diçka që i kishte munguar skuadrës në sezonet e fundit. Prania e alternativave i jep trajnerit mundësinë të menaxhojë më mirë ngarkesën fizike të futbollistëve dhe të ketë zgjidhje të ndryshme gjatë një kampionati të gjatë, ku pezullimet dhe dëmtimet janë të pashmangshme.

Megjithatë, dublimi i roleve nuk do të thotë domosdoshmërisht se skuadra është e kompletuar. Brenda klubit vazhdon puna për të afruar futbollistë që mund të bëjnë diferencën në formacionin titullar. Drejtuesit janë të vetëdijshëm se objektivat e larta kërkojnë jo vetëm numër në skuadër, por mbi të gjitha cilësi dhe eksperiencë në repartet ku ende ka nevojë për përforcime.

Për këtë arsye, merkatoja e Vllaznisë mbetet një “kantier” i hapur. Kuqeblutë pritet të lëvizin sërish në javët e ardhshme, me synimin për t’i dhënë Martinit armët e duhura për të ndërtuar një skuadër jo vetëm me dy formacione të plota në letër, por edhe me cilësinë e nevojshme për të qenë protagoniste në luftën për objektivat e sezonit të ri.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments