Shkruar nga Gjergj KOLA
Ka luajtur me sukses për 6 sezone me Vllazninë, ka qenë pjesë e rregullt e kombëtares U21 të Shqipërisë, por vitet e fundit emri i tij “u harrua”. E kemi fjalën për Arsen Sykajn. Megjithatë mbrojtësi i njohur vazhdon të luajë sërish futboll ndonëse tashmë në moshën 36 vjeçare.
Po e bën këtë në Itali ku prej tre sezonesh është pjesë e ekipit Olimpia Sant Agabio, i cili merr pjesë në kategoritë e ulëta të futbollit të këtij vendi. Paraqitjet e mira të bëra në sezonet e kaluara, kanë bërë që drejtuesit e klubit t’i ofrojnë pak ditë më parë rinovimin e kontratës.
Edhe Sykaj ka qenë i kënaqur me ambientin dhe gjithçka tjetër tek ky klub prandaj dhe dy palët kanë vendosur të vazhdojnë bashkëpunimin edhe për sezonin 2026-2027. Siç kemi bërë të ditur edhe më përpara, Olimpia Sant Agabio është një “ekip shqiptarësh”. Kjo sepse presidenti është shqiptar- Ardian Dushaj, drejtori teknik- Ersid Pllumbaj po ashtu ndërkohë që pjesë e tij është edhe futbollisti tjetër shkodran Klodian Samina.
Sykaj kësisoj vazhdon të ndjekë pasionin e tij sërish, pas aventurave të bukura që ka kaluar me Vllazninë, Tërbunin, Kastriotin, Besëlidhjen, Teutën, Sopotin, por edhe në Kosovë me Drenicën para se të transferohej në Itali ku po luan me sukses prej 4 vitesh. Një mbrojtës me vlera që padyshim meriton vëmendje dhe respekt për atë se çfarë ka dhënë për futbolin shkodran e shqiptar.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


